Thumbimin e Trumpit, Thunbergu e vë në biografinë e saj në Twitter Foto: Reuters

Thumbimin e Trumpit, Thunbergu e vë në biografinë e saj në Twitter

12 December 2019 18:35

Aktivistja për klimën, Greta Thunberg, ka ndryshuar biografinë e saj në Twitter duke ia kthyer thumbimin presidentit amerikan Donald Trump pas deklaratës së tij drejtuar Thunbergut pasi ajo u përzgjodh Personi i Vitit 2019 nga prestigjiozja “Time”.

Ai ka thënë se Thunberg “ka problem me menaxhim të zemërimit” dhe duhet të “shkojë të shikojë ndonjë film të vjetër me shokë”. “Qetësohu Greta, qetësohu”, ka shtuar ai.

Më pas Thunberg përdori këto fjali të Trumpit në biografinë e saj në Twitter duke thënë se “është një adoleshente që punon në menaxhimin e zemërimit. Aktualisht po pushon dhe po shikon një film të vjetër me një shok”.

16-vjeçarja suedeze u shpall të mërkurën Personi i Vitit pasi udhëhoqi lëvizjen botërore kundër ndryshimeve klimatike.

Kjo s’është hera e parë që ajo ndryshoi biografinë në Twitter duke reflektuar në kritikat e liderëve botërore ndaj saj. Të martën ajo ndryshoi biografinë në “pirralha” – fjalë portugeze për “fëmijë me sjellje të këqija”. Kështu i ishte drejtuar presidenti brazilian ditë më parë Thunbergut. Në tetor, në biografinë e saj në rrjetin social shkruhej “fëmijë i sjellshëm, por i painformuar mirë”, siç i ishte referuar presidenti rus Vladimir Putin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme