Rrugët kaotike në kryeqytet, banorët e “Kodrës së Diellit” ankohen për punime të vazhdueshme

Fitim Majkovci 20 October 2019 20:06

Punimet në rrugët kryesore të Prishtinës vazhdojnë të sjellin probleme për qytetarët këtu. E tillë është edhe gjendja në lagjen “Kodra e Diellit’’, ku, sipas banorëve, tash e disa muaj vazhdojnë punimet për asfaltimin e rrugëve kryesore.

Për ta, këto punime vetëm po u shkaktojnë probleme, duke pasur parasysh edhe ndërtimet që po kryhen nga kompani private të ndërtimit, raporton KTV.

Përveç dëmtimit të vendkalimet për këmbësorë në “Kodrën e Diellit’’, problem i madh është edhe ndalja e veturave në pjesën e rezervuar për kalimtarë, për çka qytetarët thonë se është mjaft shqetësuese.

Ndërsa, punimet në rrugë dhe ndërtimet e larta që vazhdojnë në këtë lagje të kryeqytetit, banorët i shohin si mungesë koordinimi nga Komuna e Prishtinës.

Nga Komuna e Prishtinës, përmes një përgjigjeje me shkrim, i kanë thënë KTV-së, se vonesat në projekt vijnë si pasojë e rikonstruktimit të tërësishëm të këtij projekti.

‘’Projekti parasheh komplet rikonstruktimin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit për rrugët ‘’Gazmend Zajmi”, “Ali Pashë Tepelena” dhe “Karl Gega’’. Është projekt i madh dhe i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore prej 779.000 eurosh”, ka thënë Miranda Mullafazliu, zyrtare për media në Komunën e Prishtinës.

Edhe pse, në kontratën që komuna ka publikuar, punimet për rikonstruktimin e këtyre rrugëve është dashur të kryheshin brenda 120 ditëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme