“Termokosi” prezantoi rezultatet e projektit të para-fizibilitetit për energji solare

“Termokosi” prezantoi rezultatet e projektit të para-fizibilitetit për energji solare

06 November 2019 14:42

Ngrohtorja e Prishtinës “Termokos” prezantoi rezultatet përfundimtare të projektit të para-fizibilitetit për energji solare, i cili ka për qëllim zgjerimin e ngrohjes publike, për t’iu ofruar qytetarëve ngrohje cilësore 24 orë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se zgjerimi i rrjetit të “Termokosit” është projekt i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve të ngrohjes për qytetarët e Prishtinës. Ai shtoi se me ngrohjen nga “Termokosi” të gjithë qytetarët do të kenë ngrohje cilësore dhe më të lirë.

“Në vitin 2019 Prishtina po diskuton që ta ketë ngrohjen qendrore me panele solare dhe nëse kjo ndërtohet siç kanë thënë konsulentët e fundit do të ishte projekti i dytë më i madhi në Evropë pas Danimarkës, ku do të kemi një sistem të tillë të ngrohjes qendrore me panele solare. Pikërisht, jam i lumtur për një gjë të rëndësishme tashmë sot po të shkoni në ueb faqen amerikane do ta shihni se ndotja në qytet është më e larta për dy burime: një - makinat dhe dy- ngrohja individuale me qymyr gjatë dimrit, në ‘Tophane’, ‘Kodrën e Trimave’ dhe në disa lagje tjera. Mendoj se reforma e vërtetë është nëse e ndalojmë qymyrin dhe iu ofrojmë banorëve ngrohje alternative. Ky projekt është për t’u lidhur dhe për ta zgjeruar rrjetin e ngrohjes në lagje me banim individual, ku ka përdorim te qymyri, edhe nga kostoja, edhe nga benefitet, ia vlen ky projekt dhe ne si komunë jemi mbrapa këtij projekti”, tha Ahmeti, transmeton ksp.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, tha se ngrohtorja “Termokosi” është njëra prej storieve më të suksesshme në Kosovë, dhe shteti gjerman gjithmonë është i hapur për bashkëpunim me Kosovën.

“Termokosi është definitivisht një nga tregimet e suksesit për detaje të ndryshme, të cilat edhe kryetari i paraqiti në fjalimin e tij, duke kujtuar të gjitha detajet që m’i keni dhënë që nga fillimi i vitit tim të parë më 2017, sesi ka filluar “Termokosi”, se çfarë pengesa ka kaluar, se si disa njerëz kanë thënë se kjo kurrë nuk do të funksionojë , dhe unë vetëm mund të them urime për Komunën e Prishtinës. Projekti funksionon dhe veçanërisht urime për “Termokosin”. Ju po e bëni dallimin këtu, për jetën e njerëzve, për funksionimin e komunës , dhe siç e theksoj edhe kryetari më lartë, për ambientin”, tha Heldt.

Kryeshefi i “Termokosit”, Arsim Fetahu, tha se ky projekt iu ofron qytetarëve ngrohje të rregullt dhe stabile, por që realizimi i tije nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e donatorëve.

“Pa dyshim, që historia e re e “Termokosit” fillon me projektin e ko-gjenerimit, njëri prej projekteve definitivisht më të rëndësishme të energjisë pas luftës, pra projekti më i mirë i realizuar për energjinë termike deri tash në Kosovë. Ky projekt ka qenë i pa mundur të realizohet pa mbështetjen e donatorëve, të cilët i falënderoj publikisht për kontributin e dhënë deri më tash dhe shpresoj që ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen në realizimin e projekteve tjera. Me realizimin e këtij projekti është mundësuar furnizimi i qytetarëve me ngrohje të rregullt dhe stabile , dhe është bërë përmirësimi i jetës së tyre duke i furnizuar me energji të rregullt, si dhe një jetë më të mirë për të gjithë konsumatorët. Definitivisht kjo do të ishte e pamundur pa përkrahjen e Gjermanisë, Komisionit Evropian, Qeverisë suedeze, Qeverisë së Luksemburgut dhe gjithë donatorët tjerë”, tha Fetahu.

Ai tha se ngrohtorja “Termokosi” është duke punuar edhe në realizimin e projekteve tjera që kanë të bëjnë me zgjerimin e ngrohjes qendrore, projektin e financuar nga Komisioni Evropian. Gjithashtu tha se janë duke punuar edhe në drejtim të rritjes së kapaciteteve për dyfishimin e kapaciteteve nga energjia termike nga KEK, që priten të realizohen në të ardhmen.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme