Bëhet zbulimi i pllakës së Shtabit të Qendror të UÇK-së në Prishtinë

Bëhet zbulimi i pllakës së Shtabit të Qendror të UÇK-së në Prishtinë

17 November 2019 15:16

Në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, më shumë se dy dekada më parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte selinë e Shtabit Qendror të kësaj organizate. Në periudhën 1994-1997, në këtë seli u morën vendime të rëndësishme për veprat konkrete për rezistencë ndaj pushtuesit serb, nga Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Pikërisht në këtë vend sot OVL-UÇK ka bërë zbulimin e një pllake përkujtimore të Shtabit të Qendror, në nderim të të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për lirinë e Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se në këtë datë të muajit të nëntorit, kujtohet e kaluara dhe sakrifica e gjithë atyre për liri të vendit. E sipas tij, vetëm në këtë formë ndërtohet e ardhmja e sigurt.

“Këtu në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë, këtu pikërisht në këtë vend pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në atë botë bënin plane për fillimin e një rezistence të armatosur kundër pushtuesit serb, dhe pikërisht në këtë vend janë marrë vendime të rëndësishme për veprat konkrete që do të marrin pjesëtarët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne si udhëheqësi e Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po e zbulojmë këtë pllakë përkujtimore në shenjë nderi dhe respekti për të gjithë ata që kontribuuan, sakrifikuan për lirinë e Kosovës, sepse vetëm duke mos harruar të kaluarën tonë, ne mund të ndërtojmë të ardhmen e sigurt”, ka thënë Gucati.

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, Nait Hasani tha se gjatë sistemit komunist në forma ilegale e organizata patriotike punuan atdhetarë të ndryshëm, nga Adem Demaçi, e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Sot më 17 nëntor 2019 në vendosjen e këtyre pllakave me simbolin e UÇK-së koincidon edhe me daljen publike me komunikatë për herë të parë më 1994 të UÇK-së. Dhe vënia e simboleve në këtë hyrje t’i tregojë historisë dhe kombit tonë, se këtu në këto baza janë mbajtur mbledhjet e Shtabit Qendror e Operativ të UÇK-së, nga 1994 deri në janar të vitit 1997. Me këtë ju tregojmë gjeneratave që vijnë, brezave të sotëm e të ardhshëm se djemtë e këtij vendi me largpamësi atdhetare, politike e ushtarake, me vendimet e marra në këto baza të UÇK-së, këta me vullnetin e tyre, me guximin e tyre heroike e shkruan me burgje e gjak historinë. Dhe kanë ndryshuar rrjedhën e historisë duke ia sjellë vendit, çlirimin nga Serbia dhe Kosovës-liri”, u shpreh Hasani.

Në zbulimin e kësaj pllake përkujtimore morën pjesë përfaqësues të OVL-UÇK-së, Rexhep Selimi, Bislim Zogaj, e ish-luftëtarë të tjerë.

Gjatë ditës është bërë edhe zbulimi i një pllake të Shtabit të Qendror të UÇK-së., në Bregun e Diellit./KsP/

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Filani18/11/2019 10:47

Na keni gerdite cdo gje ne lidhje me cdo gje me lufte!

Shto koment

Të ngjashme