Studentët duan linjë nga Stacioni i Autobusëve deri te Konviktet

Agnesa Vitija Agnesa Vitija 07 December 2019 10:12

4 mijë studentë, aq sa është kapaciteti i Qendrës së Studentëve në Prishtinë, udhëtojnë të paktën dy herë në javë nga stacioni i autobusëve për në shtëpitë e tyre dhe anasjelltas.

Shumica nga ta, me vete kanë edhe rroba të shumta dhe shkuarja nga qendra deri në stacion i ka vështirësitë e veta. Kjo në mungesë të linjës së autobusit nga Stacioni i Autobusëve për në qytet, raporton 038 në KTV.

Aktualisht, studentët përdorin disa nga linjat me numrin 7, por që asnjëra nuk niset e as nuk përfundon në stacion të autobusëve.

E shumë prej tyre, përveç shpenzimeve të fjetjes e ushqimit, për shkak të valixheve të rënda, duhet të shpenzojnë edhe në taksitë e qytetit.

Disa nga ta thonë se për shkak të relacioneve të papërshtatshme të transportit publik dhe për shkak të çmimit të taksive, ata rrugën e bëjnë në këmbë.

Shpenzime të shumta të transportit rrugor, kanë edhe studentët që qëndrojnë nëpër banesa private.

Sipas drejtorit të Qendrës Studentore në Prishtinë, Fatmir Sfishta, komuna duhet të subvencionojë udhëtimin e studentëve dhe të krijojë linja të përshtatshme për ta.

I pari i kësaj qendre shpreh se një hap i mbarë drejt kësaj rruge do të ishte edhe karta studentore, të cilën e kanë realizuar shumë vende të rajonit. Me anë të kësaj karte, studentët universitarë do të përfitonin shërbime falas ose me çmim të reduktuar. Mirëpo, ai thotë se e gjitha kjo është në dorë të Komunës të Prishtinës dhe Drejtorisë së Arsimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Betim09/12/2019 10:35

'far studenta TE LODHT. Pritojne me ec 2km. Le fakulltetin kejt e shko rri ne shpi.

Shto koment

Të ngjashme