Posteri i parë për “Bondin” e ri

Posteri i parë për “Bondin” e ri

09 October 2019 16:49

Pranverën e ardhshme në kinema do të mbërrijë filmi i ri për agjentin më të njohur sekret James Bond, ndërsa gjatë fundjavës është shfaqur edhe posteri i parë zyrtar.

Filmi më i ri është titulluar “No Time to Die”, ndërsa në të luan Daniel Craig, i cili do të shfaqet si agjenti i MI6, James Bond, për herë të pestë. Edhe pse posteri është shumë i thjeshtë, duhet të pranojmë se ai gjithsesi duket shkëlqyeshëm.

Në këtë film do ta shohim Bondin në pensionimin e merituar, derisa ai të kontaktohet nga shoku dhe agjenti i CIA-s, Felix Leiter (Jeffrey Wright) i cili i kërkon ndihmë për gjetjen e një shkencëtari të zhdukur, shkruan KOHA Ditore. Kërkimi shndërrohet në një rast rrëmbimi dhe Bondi duhet të përballet me një rrezik që bota nuk e ka parë më parë.

Ralph Fiennes, Naomie Harris, Ben Whishaw, Rory Kinnear dhe Léa Seydoux i përsërisin rolet e tyre nga filmat e mëparshëm ndërsa fytyrat e reja përfshijnë Rami Malek (keqbërësi kryesor), Ana de Armas, Lashana Lynch, David Dencik, Dali Benssalah dhe Billy Magnussen. Vazhdimi i ri bëhet me regji të Cary Joji Fukunaga, i cili e bashkë-shkroi skenarin me Scott Z. Burns dhe Phoebe Waller-Bridge bazuar në skicat e shkruara nga Neal Purvis dhe Robert Wade.

“No Time To Die” do të jetë filmi i parë në franshizë i cili distribuohet ndërkombëtarisht nga Universal Pictures pasi që Columbia Pictures i humbi të drejtat për serinë pas filmit “Spectre”. T’ju rikujtojmë, Bondi i ri është dashur të bëhej me regji të Danny Boyle, i cili e braktisi projektin në gusht të vitit 2018 për shkak të mosmarrëveshjeve kreative, por regjisori i ri u gjet vetëm një muaj më vonë.

“No Time To Die” pritet në kinema më 3 prill 2020.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme