Bruce Dickinson përballet me betejë shkurorëzimi 116-milionëdollarëshe

Bruce Dickinson përballet me betejë shkurorëzimi 116-milionëdollarëshe

04 November 2019 16:04

Frontmeni i “Iron Maiden”, Bruce Dickinson, mund të detyrohet ta ndajë një pjesë të pasurisë së tij prej 116.4 milionë dollarëve pasi që raportohet se e ka braktisur bashkëshorten e tij me të cilën ishte i martuar për 29 vjet, dhe ka filluar të jetojë me të dashurën e tij "super adhuruese".

Bruce ka qenë i martuar me Paddy Bowden për 29 vjet, por çifti u nda qetësisht vitin e kaluar (2018) – ndërsa rockeri, 61, që atëherë ka filluar të jetojë me të dashurën Leana Dolci, një mësuese bionde e fitnesit 15 vjet më e re se ai, në shtëpinë e saj në Paris, Francë.

Derisa asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur kërkesë për shkurorëzim, Bruce mund ta humbë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij prej 116.4 milionë dollarëve ndaj nënës së tre fëmijëve të tij, nëse ajo do t’i inicojë procedurat për ndarje ligjore, shkruan KOHA Ditore.

Një burim i tha gazetës britanike Daily Mirror: "Leana ka qenë gjithmonë një adhuruese e madhe e Iron Maiden, duke i ndjekur ata për rreth 10 vjet.

"Ajo dhe Bruce janë afruar shumë gjatë vitit të kaluar dhe ajo madje i ka takuar fëmijët e tij. Paddy është në Amerikën e Jugut në kërkim të kohës dhe hapësirës për tërë këto”.

Leana i intervistonte rregullisht yjet e rokut në ueb kanalin Duke TV. Në një intervistë të fundit, Bruce konfirmoi se ai jetonte në Paris me të dashurën e tij.

Bruce i ka djemtë Austin, 29, Griffin, 27, dhe vajzën Kia, 28, me Paddyn, ndërsa romanca e re vjen pasi që karriera e tij e të kënduarit thuajse përfundoi në vitin 2015, teksa ai po luftonte me fazën e tretë të kancerit në fyt, pasi që iu tha se në gjuhën e tij i kishte dy tumore - një sa madhësia e një topi golfi.

Familja e tij u kujdes për të deri në shërimin e tij në shtëpinë e tyre në Chiswick, Londër, dhe ylli u kthye shpejt në skenë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme