Kuzhinieri McConaughey përgatit 800 shujta për të pastrehët

Kuzhinieri McConaughey përgatit 800 shujta për të pastrehët

06 November 2019 14:44

Aktori amerikan Matthew McConaughey, 50 vjeç, ditë më parë i ka ndihmuar anëtarët e organizatës për ndihmë në katastrofa dhe grupin e vullnetarëve në përgatitjen e 800 shujtave prej mishit të gjeldetit nga zgara për zjarrfikësit në Kaliforni të cilët kanë luftuar për ditë të tëra me zjarret.

Ekipi i përgatiti edhe 800 shujta shtesë për strehimoret vendase për të pastrehët, raportojnë mediat amerikane. Angazhimi i tyre është pjesë e fushatës bamirëse të grupit vullnetar "Wild Turkey Bourbon", e cila organizohet çdo vit me titullin "Me falënderim" (With Thanks”).

Këtë vit vullnetarët, në bashkëpunim me anëtarët e organizatës për ndihmë në katastrofa BBQ Relief, vendosën t’i ndihmonin zjarrfikësit kalifornianë, shkruan KOHA Ditore. McConaughey është drejtor kreativ i grupit “Wild Turkey Bourbon”, i cili përgatit ushqime të pjekura në zgarë për nevojtarët, në këtë rast për zjarrfikësit që po luftojnë kundër zjarreve në Kaliforni.

McConaughey dhe ekipi i tij fillimisht kishin planifikuar të merrnin pjesë në një ceremoni në Los Angeles për nder të të gjithë atyre që morën pjesë vitin e kaluar në fikjen e zjarrit Woolsey, i cili e shkatërroi zonën përreth Los Angelesit dhe Malibusë, por duke i marrë parasysh zjarret e reja të fundit, plani ka ndryshuar.

”Kur po e planifikonim zgarën e sivjetme në Kaliforni, shtëpinë time të dytë, as që e dinim se zjarret shkatërruese do të na godisnin përsëri. Jemi të lumtur që jemi këtu sot për t'ju falënderuar për atë që e bëni për ne dhe që i frymëzoni të tjerët që të përfshihen dhe t’i ndihmojnë komunitetet e tyre”, - tha aktori.

McConaughey më herët këtë vit mori pjesë në ceremonitë në Universitetin Texas në Austin, ku diplomoi në vitin 1993.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme