DeGeneres vitin e ardhshëm merr çmimin për arritje jetësore

DeGeneres vitin e ardhshëm merr çmimin për arritje jetësore

06 November 2019 16:24

Aktorja Ellen DeGeneres (61) është vetëm pranuesja e dytë e çmimit për arritje jetësore në televizion, çmim ky i prezantuar vitin e kaluar, dhe është ekuivalent i çmimit “Cecil B. DeMille” për arritje në film.

Çmimi u emërtua sipas komedianes Carol Burnett (85), fitueses së pesëfishtë të “Golden Globe”, së cilës vitin e kaluar iu dha për herë të parë çmimi në ceremoninë e mbajtur në janar.

DeGeneres, një nga femrat më të dalluara të famshme gay, e filloi karrierën e saj stand-up para se të kalonte në televizion. Aktualisht ajo është prezantuese e talk showut Ellen DeGeneres Show.

“Përveçse është e suksesshme në punën e saj televizive, DeGeneres është filantrope, ajo avokon për ata që nuk kanë të drejtë vote dhe e përhap mirësinë dhe gëzimin përmes platformës së saj”, – tha Lorenzo Soria, president i Shoqatës së gazetarëve të huaj holividuanë (HFPA), e cila i ndan çmimet “Golden Globes”.

DeGeneres tashmë është fituese e dy nderimeve më të larta në Shtetet e Bashkuara - Medaljes Presidenciale të Lirisë dhe çmimit “Mark Twain” për humorin amerikan, shkruan KOHA Ditore. Përveç punës në televizion, ajo ia huazoi zërin e saj peshkut të kaltër neurotik të Paqësorit, të quajtur Dory, në filmat e animuar, “Finding Nemo” dhe “Finding Dory”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Golden Globes” për film dhe televizion do të mbahet në Beverly Hills më 5 janar 2020. Me ceremoninë e “Golden Globes” fillon sezoni i ndarjes së çmimeve prestigjioze filmike në Hollywood.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme