Rritet cilësia e turneut në basketboll në Kaçanik

06 November 2019 20:54

Edhe një turne i basketbollit është realizuar nga klubi i basketbollit Kaçaniku, përfitues i programit “BRICK” që implementohet nga CDF.

Edhe kësaj radhe, turneu është mbajtur në shkollën fillore “Emin Duraku” në Dushkajë të Kaçanikut.

Pjesëmarrës në këtë turne ishin gjithsej 31 nxënës të shkollave “Ali Asllani” të fshatit Doganaj, “Agim Bajrami” të Sagovës dhe “Emin Durakut” të Dushkajës, raporton “Express” i KTV-së.

Nga klubi Kaçaniku, janë shprehur të kënaqur me pjesëmarrjen në këtë turne.

Trajneri Lavdrim Mjaku, ka thënë se nxënësit kanë arritur t’i marrin njohuritë elementare të këtij sporti.

Në këtë turne, gjithsej ishin katër ekipe pjesëmarrëse dhe secili ekip ka qenë i përzier me nxënës të të tria shkollave nga të dyja gjinitë.

Mjaku ka shtuar se edhe niveli i lojës nga nxënësit është rritur dhe është i kënaqur me punën që po bëjnë të rinjtë e Kaçanikut.

Ndeshjet u zhvilluan me sistem eliminimi, derisa në finale u përballën ekipi i Dardanëve kundër Dushkajës.

Ky duel ishte mjaft rivalizues me disa aksione mirë të përfunduara nga të dyja ekipet, por në fund, epiteti i më të mirit i takoi ekipit të Dardanës.

Për këtë turne, ka dy muaj që nxënësit e shkollave të Kaçanikut janë duke u stërvitur intensivisht.

Ky turne nuk do të jetë i fundit, meqë parashihet të organizohen edhe shumë turne të tillë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme