Prishtina e mbyll aventurën si vendëse me humbje të thellë nga Moska

Prishtina e mbyll aventurën si vendëse me humbje të thellë nga Moska

07 November 2019 23:08

Mabetex Prishtina e mbylli aventurën në garën FIBA Eurocup Women, në ndeshjet si vendëse.

Vashat e kryeqytetit në duelin e fundit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë pësuan disfatë të thellë nga MBA Moska, 101:42, që ishte edhe humbja e katërt nga po aq ndeshje.

Në këtë përballje, prishtinaset e patën vetëm një herë avantazhin në të mirë të vet, kur pikët e para të ndeshjes i shënoi Irma Konjusha. Konjusha madje ishte basketbollistja më e dalluar te skuadra e drejtuar nga trajneri Fidan Shatri, me 18 pikë, 5 kërcime e 7 asistime.

Vendëset u mbajtën mirë në çerekun e parë, madje një minutë e 14 sekonda pa përfunduar 10-minutëshi i parë, rezultati ishte vetëm 17:15 në të mirë të mysafireve nga Rusia.

Megjithatë, përvoja e skuadrës vizitore bëri që ato të vazhdojnë me lojë të mirë deri në fund të duelit, ku epërsia e tyre vetëm sa shkonte e thellohej më shumë, me ndeshjen që përfundoi me 59 pikë më shumë për MBA Moskën.

Vetëm 4 basketbolliste të Prishtinës shënuan të enjten në mbrëmje. Veç Konjushës, 12 pikë e nëntë kërcime pati Myers, Enxhi Xanaj shënoi 10 pikë, dy kërcime e dy asistime, ndërsa Era Shatri shënoi 2 pikë, 2 kërcime e 1 asistim.

Takimi i radhës për ekipin debutues në këtë garë, Mabetex Prishtinën, do të jetë ai i 27 nëntorit, në shtëpi te Spartak Vidnoje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme