“Sporti Total” me edicion special për ndeshjen Kosovë - Angli

“Sporti Total” me edicion special për ndeshjen Kosovë - Angli

17 November 2019 11:17

Ndeshja më e madhe e Kombëtares së Kosovës në futboll, përballja me Anglinë të dielën, sjell edhe edicionin special të “Sportit Total”, më 17 nëntor.

Ekipi kombëtar ka qenë ëndrra e bukur e futbollit, pasi befasoi të gjithë në kualifikimet për kampionatin evropian “EURO 2020”, duke mposhtur Bullgarinë, Çekinë e Malin e Zi, ndërkohë duke i bërë probleme edhe Anglisë, që pësoi tre gola nga “Dardanët”. Anglezët janë rivalët e fundit në grupin A të kualifikimeve, por që kjo do të jetë një ndeshje e veçantë jo vetëm për futbollistët.

“Anglia është kundërshtari më i madh i futbollit botëror që ka arritur në Kosovë. Përveç rëndësisë së madhe të ndeshjes, përballja Kosovë – Angli ka domethënie të madhe për të gjithë popullin e Kosovës, që popullin anglez e konsideron mik. Pikërisht për këtë fakt, Federata e Futbollit e Kosovës dhe tifozët e kombëtares, ‘Dardanët’ janë organizuar dhe përgatitur për ndeshjen më të madhe të Kosovës”, ka thënë Bujar Mehmeti redaktor i Sportit në KTV dhe udhëheqës i emisionit “Sporti Total”. Ai ka thënë se në ditën e ndeshjes do të ketë mbulim gjatë tërë ditës.

“Edicioni special i ‘Sportit Total’ do të nisë shumë orë përpara kohës së zakonshme të emisionit (22:15). Gjatë ditës së diel, do të ketë lidhje direkte nga qyteti në pjesë të ndryshme. Duke e ditur që luajmë kundër Anglisë dhe kjo kombëtare ka tifozë të shumtë, ndeshja do të transmetohet edhe në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ aty ku do të jenë të përqendruar tifozët kosovarë e anglezë. Do të ketë lidhje direkte edhe nga stadiumi, ndërsa me të përfunduar ndeshja, vazhdon edicioni special, me mysafirë të ftuar në studio, përfshirë këtu ish-lojtarë të kombëtares, trajnerë dhe njohës të futbollit e tifozë të Kosovës”, ka thënë Mehmeti.

E diela do të jetë një festë e madhe sportive për futbollin e Kosovës, që në debutim në kualifikimet e Evropianit, ka arritur suksesin e jashtëzakonshëm, me paraqitje dhe rezultate të mira. “Sporti Total”, të dielën, do të nisë transmetimin pak para ndeshjes, ndërsa do të vazhdojë pas ndeshjes dhe si zakonisht deri në mesnatë.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme