BBC shkruan për emocionet e kosovarëve për ndeshjen me Anglinë Foto: Reuters

BBC shkruan për emocionet e kosovarëve për ndeshjen me Anglinë

17 November 2019 12:45

Shenja që ngrihet mbi një nga sheshet kryesore në Prishtinë reflekton kënaqësinë dhe pritjen për ardhjen e Anglisë në Kosovë për ndeshjen e fundit kualifikuese për “Euro 2020”. Ajo shfaq Raheem Sterlingun në aksion, në veshje të Anglisë, të shoqëruar me fjalët që ndezin natën në këtë qytet të ngazëllyer: “Mirë se vjen, vëlla”.

Kështu nis shkrimin mediumi prestigjioz BBC për pritjen që po i bëhet Anglisë për ndeshjen e futbollit me “Dardanët”.

Teksa e cilëson si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë sportive të Kosovës, BBC ka shkruar se “ky është demonstrimi i kosovarëve për faktin që futbollistët anglezë janë të mirëpritur në një mënyrë që nuk ishin në Mal të Zi e Bullgari, ku lojtarët e trajnerit Gareth Southgate ishin pre e abuzimit racist”.

Ky medium thekson se kjo është edhe një “kujtesë e mirënjohjes që ndihet akoma në këtë qytet dhe në gjithë Kosovën për përfshirjen e Britanisë së Madhe në çlirim e Kosovës”.

Futbollistët e Anglisë janë pritur me lule në Aeroportin e Prishtinës e nga trupat Britanike ushtarake me bazë në Kosovë.

“Ka qenë pritje me të vërtetë e ngrohtë. Mendoj se kjo ndeshje është festë për Kosovën. Është keq që nuk arritën të kualifikoheshin”, ka thënë ndër tjera të shtunën Southgate në konferencën për media para ndeshjes.

BBC ka kujtuar se stadiumi “Fadil Vokrri” zë rreth 13500 vetë edhe pse ishin rreth 300 mijë aplikime për bileta.

Edhe pse Kosova u eliminua me humbjen nga Çekia në mesjavë, BBC shkruan se do të jetë festë të dielën kur të zhvillohet ndeshja në Prishtinë.

“Kjo është një natë për të cilën i gjithë populli i Kosovës ka pritur – më shumë se veç për arsye të futbollit”, ka përfunduar BBC.

Takimi i sotëm nis në orën 18:00.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme