Sokoli tregon se ku dështoi Kosova për t’u kualifikuar në Euro 2020

Sokoli tregon se ku dështoi Kosova për t’u kualifikuar në Euro 2020

19 November 2019 00:02

Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli në Interaktiv të KTV-së ka thënë se dy humbjet e fundit të Kosovës nuk ishin vendimtare për mos kualifikimin në Euro 2020.

Sipas tij Kosova ka lëshuar një rast shumë të mirë për t’u kualifikuar në Evropian, e kjo për shkak të barazimeve me Malin e Zi dhe Bullgarinë.

“Ne kemi lëshuar rastin për t’u kualifikuar në Evropian duke barazuar ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë. E në aspektin taktik edhe qasja do të ishte ndryshe edhe ndaj Çekisë”, ka thënë Sokoli.

Megjithatë, sipas tij Kosova ka bërë paraqitje shumë të mira në këto kualifikime, por një rast i tillë sipas tij nuk vjen shpesh.

Sipas tij Kosova kishte gabuar edhe me barazimin me Ishujt Faroe, pasi një fitore e mundshme në Ligën e Kombeve ndaj këtij kundërshtari do ia siguronte Kosovës ndeshjen me Maqedoninë e Veriut në Prishtinë.

“Edhe pse kundërshtarët në Ligën e Kombeve nuk ishin aq të fuqishëm. Por, edhe aty Kosova kishte gabuar me Ishujt Faroe, sikur të fitonim atë ndeshje atëherë ndaj Maqedonisë do të luante në Prishtinë, që është një element mjaft i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur individët që kanë mbajtur barrën te Kosova.

“Loja e Muriq dhe vendosja e tij në portë ka sjellë shumë siguri. Rrahmani vazhdimisht në formë të mirë dhe bashkë me Alitin kanë sjellë siguri në mbrojtje. Zeneli ishte i pafat, kurse pas lëndimit të tij ishte Rashica ai që e mori në dorë ekipin së bashku me Muriqin”, ka thënë Sokoli. “Me ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Kombeve ka krijuar një vetëbesim, që në futboll di të jetë vendimtare”.

Tutje Sokoli shtoi se Kosova tani është në vendin që i takon sa i përket cilësisë.

“Për nga cilësia e kemi vendin aty ku duhet të jemi. Vlera e Kosovës aktualisht është 71 milionë, kurse veç Sterlingu kushton 200 milionë euro. Pozita, në saje të vlerave Kosova është aty ku duhet, por në aspektin e përvojës atëherë janë të tjerat më të mirë”, u shpreh Sokoli.

Sokoli thotë se ajo që e shqetëson më së shumti është mungesa e minutazhës së lojtarëve të Kosovës në ekipet e tyre, derisa thekson se ndaj Maqedonisë do të jetë shumë vështirë.

“Ajo çfarë më frikon është minutazha e këtyre lojtarëve në klubet ku luajnë. Berisha, Nuhiu, Kololli e disa lojtarë të tjerë kanë minutazhë shumë të vogël në ekipet e tyre e kjo duhet të ndryshojë. Me shpresë se kthehet Shala, Kryeziu, e Rashica dhe Zenelit atëherë mund të kemi një shpresë për t’u kualifikuar. Maqedonia është shumë cilësore, me lojtarë që luajnë në liga të forta evropiane. Alioski, e Bardhi shquhen në ekipet e tyre. Aspak s’do ta kemi të lehtë ndaj Maqedonisë”, u shpreh Sokoli.

Nëse Kosova do të arrijë të eliminojë Maqedoninë e Veriut, sipas Sokolit, do të jetë më lehtë ndaj Bjellorusisë e Gjeorgjisë, që sipas tij janë më të dobëta në cilësi se rivali i gjysmëfinales.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Presidenti19/11/2019 13:25

"Vlera e Kosovës aktualisht është 71 milionë, kurse veç Sterlingu kushton 200 milionë euro." Vërtetë ? - E keni fjalën për vlerën e të "drejtave televizive" në UK që iu rrisin vlerën lojtarëve deri në qiell ? - Apo ndoshta mendoni se ai është më i mirë se Mesi e Ronaldo ? Arsyetimet e theksuara për "dështimet" nuk janë në rregull...Kosova ishte e mrekullueshme deri në fund dhe vetëm mungesa e disa lojtarëve në ndeshjet e fundit ndikoi në rezultatin final. Gjithëashtu edhe humbja befasuese e Anglisë nga Cekia...ndryshoi gjërat në grupin tonë kualifikues.

Shto koment

Të ngjashme