Ministria ia dha mundësinë kompanisë turke që hartoi projektin për stadiumin t’i ikën tatimit për mijëra euro

Ministria ia dha mundësinë kompanisë turke që hartoi projektin për stadiumin t’i ikën tatimit për mijëra euro

Florim Maliqaj 06 December 2019 22:15

Kompania turke Tabanlioglu, që e ka hartuar projektin e Stadiumit Kombëtar, nuk ka paguar tatim në Republikën e Kosovës, ani pse sipas ligjeve në fuqi do të duhej ta bënte një gjë të tillë.

Për 1 milion e 440 mijë euro sa ka kushtuar projekti, e ku ka qenë e përfshirë faza e studimit të fizibilitetit, “Tabanlioglu” do të duhej të paguante 10 për qind tatim, ose 144 mijë euro, raporton Sporti në KTV.

Ikjen nga tatimi ua ka mundësuar kontrata që e ka nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila jashtëligjshëm e ka liruar nga tatimi, duke i marrë përsipër të gjitha shpenzimet tatimore dhe doganore.

Në nenin 5, pika 1, të kontratës që e ka siguruar Sporti në KTV, shkruhet se autoriteti kontraktues, që në këtë rast është Ministria e Sportit, është përgjegjës për të gjitha tatimet dhe detyrimet doganore, në përputhje me Ligjet e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq në pikën 2 të të njëjtit nen, saktësohet se të gjitha tatimet dhe detyrimet tjera doganore konsiderohen se janë të përjashtuara nga çmimi i kontraktuar.

Këtë defekt në kontratë, sipas burimeve të Sportit në KTV, ua ka gjetur Auditori, i cili ka kërkuar që të zgjidhet ky problem mes MKRS-së dhe kompanisë turke, pasi është në kundërshtim me ligjet në vend.

Më pas, MKRS-ja ka kërkuar interpretim edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës, se si duhet të veprojë në një situatë të tillë.

Në një përgjigje me shkrim për Sportin në KTV, ATK-ja ka treguar se si duhet të veprojnë kompanitë e huaja, që marrin tender në Kosovë.

“Derisa autoriteti publik nuk konsiderohet person i tatueshëm në kuptimin e zbatimit të ligjit të TVSH-së, atëherë ofruesi i shërbimit, kompania e huaj, nëse mban statusin e personit jorezident, atëherë me qëllim të kryerjes së obligimeve tatimore, biznesi obligohet që të caktojë përfaqësuesin fiskal dhe regjistrimi bëhet vetëm në ATK, në të kundërtën, nëse statusi i biznesit kalon në rezident nga jorezident, atëherë biznesi obligohet që të regjistrohet në ARBK duke u pajisur me NUI dhe në ATK, për t’u pajisur me certifikatë të TVSH”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

As pikën e parë, e as të dytën nuk e ka bërë kompania turke, pasi në bazë të kontratës me MKRS-në nuk ka qenë e obliguar, ani pse me ligjet e Kosovës po.

Gabimin në kontratë e ka pranuar edhe Ministri i Sportit në largim, Kujtim Gashi, i cili i ka thënë televizionit se janë duke punuar që ta gjejnë një zgjidhje.

Kontratë të jashtëligjshme po e quan njohësi i ekonomisë, Naim Gashi, i cili ka thënë se për këtë gjë, personat që e kanë nënshkruar duhet të japin përgjegjësi.

Gashi ka sqaruar se si duhet të veprojë një kompani e huaj në territorin e Kosovës.

Shkaku i këtij problemi, Ministria e Sportit nuk ia ka kryer ende pagesën e fundit kompanisë turke.

Dy pagesa nga 30 për qind të shumës totale janë kryer, kurse që nga muaji qershor MKRS-ja ka ngurruar të paguajë edhe 40 për qind, madje duke e prishur edhe marrëveshjen, pasi afati i fundit sipas kontratës ka qenë 28 qershori.

Sporti në KTV, nga burime të afërta me Departamentin e Sportit në MKRS, ka mësuar se kompania nga Turqia nuk i është përgjigjur shkrimeve të MKRS-së lidhur me tatimin.

Madje, ata e kanë kërcënuar Ministrinë se do të ndjekin hapat ligjorë, në rast se nuk kryhet pagesa.

Kohavisioni ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga kompania që e ka hartuar projektin e stadiumit Kombëtar, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Në rast se përfaqësuesit e Tabanlioglut nuk pranojnë të shtojnë ankesë të veçantë në kontratë, të cilën po e kërkon Ministria e Sportit, shteti i bie të dëmtohet me 144 mijë euro, shkaku i gabimit me apo pa qëllim të bërë në kontratën e nënshkruar nga ministri Kujtim Gashi, sekretari Veton Firzi dhe përfaqësuesja e prokurimit, Sebahate Boshnjaku.

Kontrata kishte hyrë në fuqi me 7 mars dhe ka përfunduar më 12 korrik 2019.

 
MKRS-ja DËMTON BUXHETIN E SHTETIT

Kompania turke Tabanlioglu, që e ka hartuar projektin e Stadiumit Kombëtar, nuk ka paguar tatim në Republikën e Kosovës. Për 1 milion e 440 mijë euro sa ka kushtuar projekti, e ku ka qenë e përfshirë faza e studimit të fizibilitetit, “Tabanlioglu” do të duhej të paguante 10 për qind tatim, ose 144 mijë euro. Ikjen nga tatimi ua ka mundësuar kontrata që e ka nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila jashtëligjshëm e ka liruar nga tatimi, duke i marrë përsipër të gjitha shpenzimet tatimore dhe doganore.

Posted by Sporti në KTV on Friday, December 6, 2019

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme