Google do t’i shënjojë faqet e ngadalta në Chrome

Google do t’i shënjojë faqet e ngadalta në Chrome

15 November 2019 22:41

Një postim në blog i ekipit të Chrome shpjegon se në të ardhmen browseri do të jetë në gjendje t’i identifikojë faqet që hapen shpejt ose ngadalë për përdoruesit dhe t'i shënjojë ato me etiketa të qarta. Ky lloj etiketimi mund të vijë në shumë forma, ndërsa ekipi planifikon t'i provojë ato përmes një eksperimenti dhe ta gjejë atë që do të jetë më e dobishme për përdoruesit, raporton The Verge.

Google planifikon t’i identifikojë sajtet që janë dizajnuar të jenë përgjithësisht të ngadalta. Kompania do t’i analizojë të dhënat historike të latencës për të përcaktuar se cilat sajte e meritojnë atë etiketë, ndërsa ekipi i Chrome gjithashtu po e hulumton mundësinë e identifikimit të sajteve të cilat lexohen më ngadalë për shkak të harduerit të ngadaltë ose lidhjes me rrjet.

Google po e shqyrton edhe ekranin për lexim të përmbajtjes i cili do t’i paralajmëronte përdoruesit, ose progress barin i cili do të ishte i gjelbër nëse sajti është i shpejtë dhe i kuq nëse është i ngadaltë, shkruan KOHA Ditore. “Shënjimin e shpejtësisë po e zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me ekipet e tjera të Google të cilat merren me etiketimin ose testimin e cilësisë së përvojës së përdoruesit", shpjegon ekipi i Chrome, "Ne jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për vendosjen e standardeve për atë që konsiderohet një përvojë e mirë në web dhe shpresojmë se ato do të jenë të arritshme për të gjithë developerët".

Nuk është e qartë se kur sistemi i ri do të shfaqet në Chrome, por Google i ka paralajmëruar planet në konferencën Chrome Dev Summit në San Francisko. Njoftimi dominohet me shumë "ndoshta", kështu që është e qartë se Google dëshiron reagime nga web developerët para se të vazhdojë me zhvillimin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme