Facebook Pay është sistemi i ri i pagesave

Facebook Pay është sistemi i ri i pagesave

16 November 2019 11:43

Facebooku e ka lansuar një sistem të ri të pagesave të emërtuar me kreativitet Facebook Pay. Ai do të jetë në dispozicion përmes Facebookut, Messengerit, Instagramit dhe WhatsAppit dhe është dizajnuar për të mundësuar pagesa në aplikacionet e popullarizuara që janë në pronësi të Facebookut, raporton The Verge.

Facebook Pay mund të përdoret për dërgim të parave miqve, për të bërë blerje ose donacione për qëllime bamirësie. Ky shërbim do të jetë i ndarë nga shërbimet e Facebookut, Calibra Wallet dhe Libra dhe është bërë, siç thonë nga kompania, mbi "partneritetet dhe infrastrukturën ekzistuese financiare".

Facebooku planifikon ta fillojë shërbimin në platformat Messenger dhe Facebook këtë javë. Fillimisht, ai do të jetë në dispozicion për mbledhje fondesh humanitare, pagesa ndërmjet përdoruesve, blerje të biletave për ngjarje, si dhe blerje nga faqet të cilat mallrat i shesin përmes Facebook Marketplace, shkruan KOHA Ditore. "Në periudhën e ardhshme, planifikojmë ta zgjerojmë veprimtarinë tonë me më shumë mundësi, ashtu si edhe në Instagram dhe WhatsApp", deklaroi Deborah Liu, zëvendëspresidente e Facebookut për veprimtari tregtie.

Facebook Pay do të jetë në dispozicion në seksionin e konfigurimit të aplikacioneve Facebook dhe Messenger dhe do ta mbështesë shumicën e kartelave të debitit dhe të kreditit, si dhe PayPal. Për procesimin e pagesave, Facebooku e përdor Stripe, PayPal dhe shërbimet e tjera.

Nga kompania nuk e kanë zbuluar datën e saktë se kur ky sistem do të vihet në dispozicion në aplikacionet e tyre, as kur do të vihet në dispozicion në të gjithë botën. Facebook Pay vjen vetëm disa javë pasi që një numër i madh i kompanive të cilat merren me pagesa janë tërhequr nga asociacioni i tyre Libra, e cila e mbikëqyr krijimin dhe lansimin e kriptovalutës së re.

Të gjitha kompanitë e mëdha të cilat merren me procesimin e transaksioneve tani janë tërhequr nga projekti, duke e lënë Facebookun në një pozicion të palakmueshëm për t’i bindur qeveritë në të gjithë botën për suksesin e Libra, në një moment kur besimi në kompaninë është në minimumin historik. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar që ta lansojnë sistemin më tradicional të pagesave.

"Facebook Pay është pjesë e përpjekjes sonë të vazhdueshme për ta bërë tregtinë më të lehtë, më të arritshme dhe më të sigurt për përdoruesit e aplikacioneve tona", tha Liu. "Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë Facebook Pay dhe të gjejmë mënyra të reja për ta bërë shërbimin edhe më të dobishëm për përdoruesit e aplikacioneve tona."

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme