Perspektiva reale

Agron Bajrami Agron Bajrami 13 October 2019 09:31

Qeveria që po diskutohet tani është një që pas shumë kohe e gëzon të drejtën e 100 ditëve të para – periudhës gjatë së cilës publiku do të presë me durim të shohë se cili është drejtimi që ekzekutivi i ri po merr: drejtimi i reformave dhe ndryshimeve, apo ai i sjelljes në qark. Por edhe para se të nisin këto 100 ditë, publiku ka nevojë të shohë diç më shumë sesa fjalë prej fituesve të zgjedhjeve

Vota e 6 tetorit është e qartë se ishte në favor të një ndryshimi rrënjësor në qeverisje. Më shumë se gjysma e votuesve preferuan partitë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, prej të cilave e para, si fituese e zgjedhjeve, e siguron edhe mandatin për të udhëhequr ekzekutivin e ri të vendit.

Por, përtej gëzimit të fitimtarëve dhe hidhërimit të humbësve, qytetarët tani kanë pritje të mëdha nga Qeveria e re, për të cilën ende dimë shumë pak, sepse ende mbetet për t’u bërë.

Pritja e parë është që koalicioni qeverisës të bëhet shpejt dhe pa taktizime politike, çfarë kemi parë në të gjitha zgjedhjet parlamentare që nga shpallja e pavarësisë. Vendi dhe qytetarët nuk kanë muaj për të humbur – kemi situatë emergjente në shumë fusha, prej ekonomisë dhe politikës së jashtme, deri tek sundimi i ligjit dhe mirëqenia sociale. Këto dhe shumë sfida, probleme e çështje të tjera presin adresim që në ditën e parë të qeverisjes së ardhshme, dhe çdo ditë e humbur tani shton koston që e paguajmë në të ardhmen të gjithë.

* * *

Se cila fushë dhe cili problem do të jetë më së larti në listën e prioriteteve të Qeverisë së re, do të varet nga marrëveshja që do ta bëjnë partnerët e koalicionit qeverisës. Por, qysh tani është e qartë se pritjet janë të mëdha, sfidat janë të shumta, ndërsa zgjidhjet nuk do të mund të jenë të lehta.

Qytetarët presin realizimin e premtimit të madh për “çkapjen e shtetit”, ndërsa bashkësia ndërkombëtare pret përfshirjen e shpejtë në dialogun me Serbinë dhe përpjekjen për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë – ndoshta edhe deri në pranverë.

Përveç këtyre dy presioneve të ndryshme, Qeveria e re do të jetë edhe nën presionin e zotimeve që ka bërë gjatë fushatës, pjesë e të cilave kanë qenë pretimet se do t’u shpallet luftë papunësisë dhe pabarazisë, korrupsionit dhe oligarkëve, varfërisë dhe braktisjes së shtetit nga rinia.

Në anën tjetër, në momentin kur e merr detyrën, Qeveria e re do të ballafaqohet me një gjendje të trashëguar të shtetit, ku një pjesë e problemeve edhe mund të zgjidhen me vendime të menjëhershme – siç është, për shembull, zvogëlimi i Qeverisë në 12 ministri, që për pasojë do të kishte kursimin e menjëhershëm të milionave që shpenzohen për paga, mëditje e udhëtime. Në këtë kategori çështjesh, që do të mund të zgjidhen shpejt, hyn edhe rishikimi i vendimeve të ndryshme për emërime e grante që kanë marrë ministrat në largim në prag të zgjedhjeve, përfshirë kohën e fushatës parazgjedhore.

Por sfidat e mëdha janë ato që kërkojnë qasje më afatgjate në zgjidhjen e problemit – ndryshimin e ligjeve, hartimin e strategjive të reja dhe rishikimin e politikave të ndryshme, që në vend se të sjellin përmirësime kanë shkaktuar degradim edhe më të madh.

Dhe, sigurisht, janë edhe ato sfidat madhore që kanë të bëjnë me ndryshimin e drejtimit që kanë shteti dhe shoqëria, si në zhvillimin e shtetit ekonomikisht të fortë ashtu edhe ndërtimin e shtetit demokratik dhe ligjor. Këto ka pak gjasa të arrihen brenda mandatit katërvjeçar qeverisës, i cili, siç na mëson historia e re, në rastin tonë zakonisht shkurtohet për një apo dy vjet (të gjitha qeveritë që nga shpallja e pavarësisë e kanë përfunduar mandatin para kohe dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme).

Sidoqoftë, qenësore është që Qeveria e re, por edhe qytetarët t’i identifikojnë mirë problemet dhe prioritetet. Shifrat dhe statistikat janë të trishta. Ato tregojnë për një situatë të rëndë në shumë fusha të jetës në Kosovë. Nëse Qeveria e re nuk nis të merret me këto probleme dhe vazhdon praktikën e qeverive të kaluara, që në start prioritet e kishin të zaptonin dikasteret e ndara qeveritare dhe të ngopnin apetitet e klientëve të vet, atëherë do të dëshmojë se motivin e vetëm për rrëzimin e pushtetit të kaluar e kishin marrjen e pushtetit.

* * *

Qeveria që po diskutohet tani është një që pas shumë kohe e gëzon të drejtën e 100 ditëve të para – periudhës gjatë së cilës publiku do të presë me durim të shohë se cili është drejtimi që ekzekutivi i ri po merr: drejtimi i reformave dhe ndryshimeve, apo ai i sjelljes në qark.

Por, edhe para se të nisin këto 100 ditë, publiku ka nevojë të shohë diç më shumë sesa fjalë prej fituesve të zgjedhjeve. Koalicioni, që u tha se po negociohet të jetë programor, duhet ta publikojë marrëveshjen që do ta nënshkruajë, ashtu që publiku të mund të shohë se çka i zotohen ata njëri-tjetrit, dhe cilat janë prioritetet që kanë bartur nga fushata në programin qeverisës. Po ashtu, kemi nevojë të shohim se si do t’i tejkalojnë dallimet, diku të vogla e diku më të mëdha, që burojnë nga pozicionimi i ndryshëm ideologjik, por edhe nga mënyra e ndryshme e veprimit politik në të kaluarën.

Dhe, sigurisht, do të ketë çështje që nuk mund të parashikohen as me program qeverisës. Situata emergjente, apo edhe kriza politike. Këto mund të shkaktohen nga faktorë të jashtëm, dhe në mesin e tyre janë së paku dy që duhet pritur se do të shfaqen shumë shpejt para Qeverisë së re, ndoshta edhe gjatë 100 ditëve të para. Njëri është dialogu tashmë i përmendur, i cili, me përfshirjen e shtuar amerikane (të cilën qeveritarët e mëhershëm të Kosovës edhe e kërkonin) dhe me ardhjen e Komisionit të ri Evropian, do të mund të lëvizë me temp shumë më të shpejtë sesa që jemi mësuar ne. Tjetri faktor është Gjykata Speciale, e cila na rri mbi kokë tash e sa vjet si shpata e Damokleut, dhe Qeveria e re duhet të jetë e përgatitur për momentin kur kjo shpatë të shkëputet dhe bie poshtë. Edhe nëse një gjë e tillë ndodh qysh në ditën e parë të marrjes së detyrës nga kabineti i ri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami