LDK-ja rrezikon t’ia zërë rrugën vetes

Enver Robelli Enver Robelli 24 October 2019 08:09

Siç duhet të dekriminalizohet shteti, ashtu edhe LDK-ja duhet të vendosë si do të rreshtohet: me partitë e krimit të organizuar si deri më tani apo me frymën e përgjithshme qytetare për ndryshim, që u pa qartë më 6 tetor

“Nuk do të lejojmë kapje të re të shtetit”. Këtë e tha një zyrtar i lartë i LDK-së këto ditë. Kjo deklaratë ishte paralajmërim: LDK-ja, partia që vetëquhet institucionaliste, do ta mbrojë Kosovën edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila, sipas insinuatës së zyrtarit, mund të ketë ambicie për ta kapur shtetin. Dëshmi për këtë? Nuk ka. VV-ja nuk ka qenë kurrë në pushtet në nivel nacional.

Nëse e përkthejmë fjalinë e zyrtarit, atëherë ajo ka këtë domethënie: nuk do të lejojmë dekriminalizimin e shtetit, sepse edhe vetë si LDK e kemi ngjyer bashkë me partnerin e dashur, shumëvjeçar dhe shtetkapës. Me sa duket disa nga krerët e LDK-së ende kanë nostalgji për koalicionet e Zanzibarit. Mund të provojnë edhe tash të lidhin një koalicion të tillë, të shohim si po voton Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Të shohim çka po thotë sovrani i LDK-së. Deklaratat absurde, si kjo e këtij zyrtarit, tregojnë se përse LDK-ja nuk i ka fituar asnjë palë zgjedhje që nga viti 2004. Më 2004 fitoi 45.42 për qind të votave, më 2007 u fundos në 22.6 për qind, më 2010 mbeti gati aty ku ishte (24.69 për qind), më 2014 mori 25.24 për qind të votave, ndërsa më 2017 (në koalicion me një oligark) doli e treta (25.53 për qind). Ndoshta shumëkujt i kujtohet viti 2014 kur kryetari i LDK-së shkoi bashkë me një zyrtar tjetër me një “Fiat Punto” në vilën e oligarkut për të lidhur koalicion.

Pak a shumë LDK-në e kontrollojnë të njëjtit njerëz qe 15 vjet, të cilët në nivel nacional nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje dhe janë pajtuar me rolin e patericës së PDK-së. Asnjë nga përgjegjësit për mossuksesin e LDK-së nuk ka treguar një fije respekti ndaj elektoratit, duke dhënë dorëheqje dhe duke iu hapur rrugë figurave të reja. Edhe kandidimi i Vjosa Osmanit sivjet ishte një zgjidhje emergjente nga paniku se LDK-ja do të përfundonte pas PDK-së. Siç duhet të dekriminalizohet shteti, ashtu edhe LDK-ja duhet të vendosë si do të rreshtohet: me partitë e krimit të organizuar si deri më tani apo me frymën e përgjithshme qytetare për ndryshim, që u pa qartë më 6 tetor.

Në 30-vjetorin e themelimit, LDK-ja sërish rrezikon t'ia zërë rrugën vetes. Me zyrtarë që japin deklarata të papërgjegjshme, me zyrtarë që mendojnë se po e quajtën Albin Kurtin “Mister Bean” do të përfitojnë elektoratin, por ndodhi e kundërta: forcimi i VV-së. Zhvillimi më dramatik ndodhi në Gjilan: në komunën e qeverisur nga zyrtari i LDK-së, VV-ja mori gati 40 për qind të votave. Ka shumë mundësi për të atakuar populizmin e Albin Kurtit, por kjo nuk bëhet me gjuhë pazari e kafehanesh.

Të dielën, më 6 tetor, Kosova e volli një të keqe të madhe. I mbetet LDK-së ta kuptojë mesazhin e zgjedhjeve. Ndoshta nuk e kupton, siç nuk ka kuptuar me vite të tëra. Por e mira e demokracisë është se zgjedhjet vijnë sërish. E çka do të mbetet nga LDK-ja pas zgjedhjeve eventuale të reja, do të duhet të kërkohet me fener.

LDK-ja duhet të ketë shumë kujdes të mos futet në spirale të deklaratave fatkeqe. Për shembull, është fatale që LDK-ja t'i bashkohet korit të propagandistëve lidhur me rolin e diasporës në zgjedhje. Kryetari i LDK-së tha në një intervistë në Klan Kosova se do të ishte më drejt dhe më e udhës që fituesin ta përcaktojnë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Këtë e thotë politikani që gati një dekadë ka jetuar në Gjermani, ka marrë rrogë nga paratë e diasporës, ka menaxhuar qindra miliona të diasporës, këtë e thotë shefi i një partie që ka degë në botën e jashtme, që ka nëndegë, aktivistë, përkrahës. Degët e LDK-së në Perëndim e kanë mbajtur gjallë Kosovën dhe LDK-në në vitet ‘90. Për kontributin gjatë dhe pas luftës të mërgatës shqiptare do të mund të shkruheshin disa libra të vëllimshme.

Fituesin e zgjedhjeve në Kosovë nuk e përcaktoi mërgata, por zemërimi popullor në Kosovë edhe kundër aleancave joparimore të LDK-së në të kaluarën. Mijëra njerëz, deri dje votues besnikë të LDK-së, mbështetën VV-në vetëm nga frika se LDK-ja prapë do të rrokulliset në aventura politike me ata që Kosovën e kanë rrjepur si të ishte vend armik dhe jo shtet i ndërtuar mbi gjakun e derdhur një shekull.

LDK-ja tani duhet të luftojë edhe më shumë që përmes qeverisjes së mirë ta kthejë besimin e atyre votuesve që ikën edhe në zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo nuk bëhet me dokrra me “Mister Beanin”, por me politika të qarta dhe të bindshme. Që politikat të jenë të bindshme, është me rëndësi që ato të artikulohen nga zyrtarë të LDK-së që kanë besueshmëri (kredibilitet). Si arrihet kjo? Kjo arrihet vetëm kur përputhen mendimet, fjalët dhe veprat. Atëherë si politikan nuk ke problem me kredibilitet. Këtu LDK-ja duhet të punojë ende shumë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Lulzim Lecaj05/11/2019 15:11

Politikajt apo funksionaret e vjeter jan të vjetruar andaj edhe ja huqen si shpesh her. Retire bukfalisht i bjen i hargjuar, ndërsa ky term ne Anglisht përdoret kur njeriu del ne pension.

Dini4505/11/2019 15:14

Sic po shifet LDK tani e ka me se lehti. Mentoret njejte, plotsisht njejte si ne kohen e LVVAN-it, pa asnje pardon japin verdikte...!

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli