Humbësit dhe fituesit

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 26 October 2019 11:26

Nuk ka as fitues e as humbës të mëdhenj të zgjedhjeve të 6 tetorit, për shkak se në masën më të madhe, rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte vullneti i qytetarëve i zgjedhjeve të kaluara, por vetëm i shtyrë artificialisht për dy vjet shkaku i koalicioneve joparimore parazgjedhore

PREFERENCA E VOTUESVE kosovarë për një qeveri “Vetëvendosje!” – Lidhja Demokratike e Kosovës vetëm sa është shtyrë për dy vjet e katër muaj. Edhe në zgjedhjet e vitit 2017, shumica e votave të shqiptarëve kishin shkuar për dy partitë të cilat atëherë mbetën në opozitë.

Ky vullnet e dëshmua edhe në zgjedhjet e 6 tetorit. LVV-ja dhe LDK-ja bashkë kanë marrë 400.754 vota, nga numri i përgjithshëm prej saktësisht 796.380 votave të vlefshme brenda Kosovës. Me votat me kusht dhe ato të diasporës, ky vullnet vetëm sa është shtuar në raport të partive opozitare.

Kjo i bie që nëse PDK, AAK dhe NISMA nuk do ta formonin koalicionin parazgjedhor PAN, atëherë edhe në vitin 2017 LVV-ja do të ishte e para, kurse pas saj LDK-ja. Atëbotë, të tria partitë e PAN-it (bashkë edhe me disa parti të vogla) kishte marrë 245.627 vota, kudrejt LVV-së me 200.135 dhe LAA-së (LDK+AKR+ALT) me 185.884 vota. Kthyer në përqindje, LVV-ja kishte 27.49, LAA-ja 25.53, kurse PAN bashkë 33.74.

Pra, LVV-ja dhe LDK-ja edhe para dy vjetësh, kishin mbledhur bashkë 53.02 për qind të votave të vlefshme, mirëpo koalicioni parazgjedhor i “krahut të luftës” i kishte lënë ata jashtë pushtetit.

KUR VAZHDOHET me shifra, natyrisht, ne kurrë nuk mund ta dimë me emër dhe mbiemër se kush ka votuar për akcilen parti, shkaku se vota është e fshehtë.

Duke qenë vota e fshehtë, atëherë do të duheshin edhe të dhëna të tjera për të plotësuar analizën, si për shembull, sa votues të rinj kanë hyrë në listat zgjedhore ndërmjet zgjedhjeve, sa persona janë ndarë nga jeta ndërkohë, sa persona kanë zgjedhur të abstenojnë, sa persona kanë zgjedhur të dalin në zgjedhje pas abstenimit të fundit e kështu më radhë.

Duke qenë se një analizë e këtillë është vështirë e realizueshme, mbetet përllogaritja matematikore e trendit rritje/rrënie të votës për subjektet e caktuara, me gjithë mangësitë që ka kjo metodë.

Vetëm 78.102 votues më shumë janë regjistruar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 krahasuar me ato të vitit 2014 (pa llogaritur votat me kusht dhe ato të diasporës,e të cilat për shkak të vazhdimit të numërimit, si dhe çështjes së pranimit ose mospranimit të një pjese, varësisht nga vendimet e ditëve në vazhdim, nuk mund të merren për bazë, mirëpo mund të supozohet se janë rreth 20 mijë, që sërish i bie rreth 90 mijë votues më shumë). Kur shpërndahet ky numër i votave shtesë te subjektet politike pjesëmarrëse të zgjedhjeve të fundit, duke bërë krahasimin se nga sa vota i kanë marrë partitë në vitin 2014, mund të nënkuptohet më qartë trendi i rritjes dhe i rënies së subjekteve të caktuara.

Për shembull, Lëvizja “Vetëvendosje!” është rikonfirmuar në dy palë zgjedhje si partia më e madhe në Kosovë, si dhe si subjekti i cili ka pasur trendin më të madh të rritjes ndonjëherë në Kosovë, në mes të dy palë zgjedhjeve. Për vetëm më pak se tri vjet, nga 2014 në 2017, LVV-ja ka dyfishuar votën e vet, nga 99.800 në diç mbi 200.000, rritje rreth 100 për qind.

Karakteristikë e kësaj partie, është po ashtu, se ndonëse ka pasur një rrjedhje deputetësh gjatë mandatit, ia doli të dalë sërish e para, por tash me 203.052 vota të rregullta, si dhe mbi 50 për qind të votave nga diaspora. Sidoqoftë, rritja e votës qytetare krahasuar me rezultatin vetanak të 2017-s, flet për rritje prej rreth 5 për qind (duke supozuar edhe votat e diasporës dhe me kusht), kurse krahasuar me rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve rrënie deri në 2 për qind.

Rrënie në përqindje të përgjithshme ka edhe LDK-ja, edhe pse në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 197.702 vota brenda Kosovës, krahasuar me 185.884 sa kishte para dy vjetësh bashkë në koalicion edhe me AKR-në dhe Alternativën. Mirëpo, nëse matet me vetveten, LDK-ja me rreth 12 mijë vota shtesë (pa diasporë e me kusht), si dhe duke garuar pa AKR-në dhe Alternativën, del të jetë partia me rritjen më të madhe në këto zgjedhje. Sidoqoftë, kjo rritje nuk e ka ndihmuar që të dalë e para as kësaj radhe, që nga vitit 2004, kur për herë të fundit kishte fituar zgjedhjet nacionale dhe kur në krye të saj ishte dr. Ibrahim Rugova.

TASH, NJË KRAHASIM më i qartë për trendet është ai që bëhet me vitin 2014, kur nuk kishte pasur koalicione “të mëdha” parazgjedhore. Në një analizë të tillë, del se një pjesë e votuesve që i ka humbur PDK-ja, sot mund të jenë votues të LVV-së, si dhe një pjesë me e vogël e tyre votues të AAK-së.

Pra, para 5 vjetësh, PDK-ja kishte rreth 222 mijë vota, kurse VV-ja afro 100 mijë. E vërtetë, në zgjedhjet e fundit kanë dalë rreth 90 mijë votues më tepër se para 5 vjetësh, si dhe LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma, ose kanë shënuar rritje të konsiderueshme, ose kanë mbetur në votat e njëjta (rasti i Nismës, por tash në koalicion me AKR-në dhe PD-në)).
Por, me këtë përllogaritje, del se rreth 50 mijë vota të PDK-së kanë rrjedhur te VV-ja në këto zgjedhje, për shkak se tash VV-ja ka më se 200 mijë, kurse PDK-ja rreth 170 mijë.
Kjo mund të nënkuptojë se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit të PDK-së, në këto vitet e fundit, e gjen veten të përfaqësuar nga LVV-ja.

Padyshim, se edhe në LVV mbase nuk do të dëshironin që ta shihnin këtë rritje në masë me lëvizjen e elektoratit të një partie antagoniste, njësoj siç edhe nga PDK-ja, sigurisht, më parë do të konkuldonin se votuesi i tyre tradicional ka abstenuar se sa që ka shkuar te një parti tjetër, e sidomos jo te “Vetëvendosje!”.

Mirëpo, këtu nuk duhet harruar edhe një fakt, se në LVV sot janë edhe disa figura dikur të dalluara të PDK-së, të cilat me doemos edhe kanë sjellur një numër votuesish me vete, si dhe votuesit e rinj, që janë edhe rreth gjysma tjetër e rritjes së partisë së Kurtit.

NJË ÇËSHTJE tjetër për studim është edhe rasti i koalicionit NISMA, AKR dhe PD. Në çastet kur po shkruhet kjo kolumne, Fatmir Limaj ka deklaruar se ky koalicion ka kaluar pragun, me 5.5 për qind të votave, teksa ende zyrtarisht në KQZ figuron nën prag, me 4.97.

Nëse ky koalicion megjithatë do të përfshihet në Kuvendin e ardhshëm, nënkupton se fare lehtë mund të përfshihet edhe në qeverinë e ardhshme. Kjo situatë, pra hyrja e Limajt dhe Pacollit në qeveri, vjen edhe si pasojë e (shih ironinë!) zvogëlimit të mandateve të deputetëve të LVV-së dhe LDK-së për shkak të 6 deputetëve që do i marrin dhe nuk do t’u shpërndahen partive të tjera në Kuvend.

Siç dihet, edhe Kurti dhe Osmani e LDK-së kanë thënë se preferojnë një qeveri e cila do t’i ketë së paku 61 vota të deputetëve shqiptarë në Kuvend dhe ky është shansi i Nismës & Co. që me një grep të kapin dy peshq.

E me hyrjen eventuale të Limajt dhe Pacollit në qeverinë e re, atëherë do të trazohet absolutizmi i ndërrimit të plotësishëm të pushtetit me ish-opozitën shqiptare, meqë Nisma dhe AKR kanë qenë pjesë e pushtetit edhe në mandatin e kaluar.

Marrë të gjitha këto parasysh, mund të konkludohet se nuk ka as fitues e as humbës të mëdhenj të zgjedhjeve të 6 tetorit. Në masën më të madhe, rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte vullneti i qytetarëve i zgjedhjeve të kaluara, por vetëm i shtyrë artificialisht për dy vjet shkaku i koalicioneve joparimore parazgjedhore.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi