Shteti që vret

Flaka Surroi Flaka Surroi 29 October 2019 08:38

Tre vjet më pas, shpreh bindjen se drejtësia për Astritin do të jetë fillimi i vendosjes së drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në këtë vend të nëpërkëmbur, ku gjithçka ka qenë e lejuar po qe se e ka pasur vulën e shtetit në duart e atyre që e katandisën atë. Do të jetë zgjimi nga amullia në të cilën kemi rënë dhe do të jetë shpresa se ky vend ka ardhmëri.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve ende nuk janë gati, ngase pas rinumërimit të stërzgjatur u nis me numërimin e votave me kusht dhe të atyre që u hodhën nga personat me nevoja të veçanta. 

Megjithatë, gjasat janë se numërimi do të vazhdojë së paku deri në fund të muajit, ngase Gjykata Supreme e miratoi ankesën e LVV-së ndaj vendimit të KQZ-së për të mos i numëruar votat e diasporës që kishin ardhur pas afatit të caktuar, por në zarfet e të cilave shihej qartë se ishin nisur para datës 5 tetor. 

Me përfshirjen e këtyre 4 639 pakove që mund të përmbajnë edhe më shumë se një votë, gjasat janë që NISMA përfundimisht nuk do ta kalojë pragun. Ndërkohë, votat e rinumëruara mbase do t’ia mundësojnë edhe ndonjë partie tjetër serbe që ta kalojë pragun për ta pasur së paku një përfaqësues në Kuvend. Siç na ka ndodhur në secilën palë zgjedhjesh që i kemi mbajtur, do të kalojë më shumë se një muaj e gjysmë derisa të shteren të gjitha procedurat e numërimit dhe të ankesave, për të shkuar drejt konstituimit të Kuvendit e më pas edhe zgjedhjes së Qeverisë së re. 

Asgjë e re, do të mund të thuhej. Dallimi kësaj radhe është se nuk do të na përsëriten fizkulturat e dy herëve të shkuara. 

Më në fund

Lajmi i javës, megjithatë, ishte bërja publike e raportit të Qendrës Universitare Romande për Mjekësi Ligjore në Lausanne të Zvicrës, në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit,më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. 

Raporti, i cili vonoi thuajse një javë për t’u përkthyer, e përjashtoi mundësinë e vetëvrasjes thuajse qind për qind. E kundërshtoi raportin kosovar, i cili konstatonte se shishja me mjaltë kishte qenë mjeti me të cilin ishte shkaktuar asfiksia, që kishte pasur vdekjen për pasojë. E zbuloi edhe një ADN të huaj që ekspertët kosovarë nuk kishin ditur ta gjenin. Përfundimisht e kishte hedhur në ujë të gjithë përpjekjen arrogante të institucioneve shtetërore dhe gjyqësore të Kosovës që ta mbyllnin rastin me konstatimin se edhe Astrit Dehari ishte vetëvrarë, sikurse i vëllai. 

Kanë kaluar pesë vjet nga vdekja e dyshimtë e Arbënor Deharit, e cila nuk u qartësua asnjëherë. Tash thuajse u bënë tre vjet prejse Astriti vdiq në rrethana të tmerrshme, e që një ekspertizë neutrale të ketë dhënë përgjigjen që me mijëra njerëz që kishin dalë për të protestuar me rastin e vdekjes së tij e kishin ndier: se ai nuk ishte vetëvrarë, porse dikush e kishte vrarë. 

Mbase ky moment i ri do të jetë edhe një moment shprese për familjen Dehari, që më në fund ta kuptojë të vërtetën edhe për vdekjen e të birit të madh. Në situatën kur Kosova nuk ka Qeveri e as Kuvend, as që do të mund të pritet ndërmarrja e çfarëdo veprimi ndaj përgjegjësve institucionalë për të gjitha gabimet dhe gënjeshtrat që i patën shqiptuar kur ndodhi vrasja para tre vjetësh. Nga prokuroria që del të jetë fajtorja më e madhe për menaxhimin e keq të rastit, nuk mund të pritet se do të mund të merren me vetveten. 

Jo pa presion edhe më të madh nga opinioni publik, i cili ia doli që të kryhej ekspertiza zvicerane. Po të mos ishte dalë sa herë në protesta dhe po të mos ishin mbledhur 23.774 nënshkrime, ku kërkohej mbajtja e një seance plenare, që të vendosej për një hetim të pavarur, si dhe ku kërkoheshin dorëheqjet e ministres së Drejtësisë, si dhe të ministrit të Brendshëm. 

Dorëheqjet nuk erdhën, porse një ekspertizë e pavarur u realizua. Ekspertiza thotë se duhet ndërmarrë hetim të njëmendtë dhe të çohen para drejtësisë të gjithë ata që kanë pasur dorë në këtë krim. Sepse për këtë krim përgjegjësinë kryesore e mban shteti. 

Zinxhiri

Tre vjet vuajtjeje të familjes që secili prej nesh vetëm mund ta paramendojë, por jo edhe ta ndiej njësoj, nisën nga çasti kur drejtori i Policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, kishte deklaruar se Dehari e kishte vrarë veten me medikamente dhe se në fakt kishte vdekur rrugës për në emergjencë pasi që kishte rënë në komë. 

Vdekja e tij ndodhi në ditën e 68të të vuajtjes së paraburgimit, si i akuzuar për terrorizëm - se kinse ai së bashku me katër të tjerë e kishin sulmuar ndërtesën e Kuvendit me ‘zolë‘, në lëvizje nga një motoçikletë. 

Nuk u kuptuan kurrë arsyet se pse Dehari u veçua nga shokët e tij, të cilët më pas u dërguan në arrest shtëpiak. Se sa joseriozisht i është qasur shteti komplet këtij inskenimi, tregon faktin se personat e akuzuar për terrorizëm ishin lëshuar të shkonin në shtëpi dhe që prej aty të procedoheshin në gjykatë. Shkalla e parë i dënoi katër veta me 21 vjet e gjysmë burg, kurse një vit e gjysmë më vonë, shkalla e dytë e ktheu lëndën në rigjykim. 

Rigjykimi i rastit nuk po ndodh që nga marsi i viti 2018, përderisa akuza mbetet e njëjta: terrorizëm, ndërkohë që të gjithë të akuzuarit janë në liri. Kjo tregon se akuza që nga starti ka qenë e paqëndrueshme, kurse i gjithë rasti ka gjasë të ketë qenë montim i pastër për dëmtim politik. Si në diktaturë. Vuajtjet u thelluan kur dolën dy raporte të kundërta që shpjegonin vdekjen, e që e kishin një të përbashkët: se ajo kishte qenë e dhunshme. Porse, përderisa shteti insistonte, nëpërmjet prokurorit Sylë Hoxha, të thoshte se bëhej fjalë për vetëvrasje, patologët e pavarur thoshin vrasje. 

Për kapak, ishin videoincizimet që u transmetuan në një televizion kabllor, për të cilat thuhej se ishin autentike, por të cilat me pak njohuri teknike mund të manipuloheshin, siç edhe u dëshmua më vonë nga një aktivist i shoqërisë civile. Njëri patolog i pavarur, Besim Latifaj, do të shkruante dje: “Frikësohesha se do të kem fatin e njëjtë si AD. Prokurorët e hodhën raportin tonë në koshin e mbeturinave... Kur u thirrëm në sallën e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë prokurori në pika të shkurtra dha një sintezë të deklaratave të dëshmitarëve në rastin e vdekjes së AD. 

Unë insistova që të merren deklarata më përmbajtjesore, pasi që ato që i lexoi prokurori ishin shumë sipërfaqësore... Ne u shtantazhuam nga ministrja Dhurata Hoxha që i pati dhënë urdhër prokurorisë që ne të ndiqeshim penalisht, gjë që të shtyn të mendosh se edhe ajo ka gisht në planin për fshehjen e fakteve… A thua Prokuroria do t’i ndjekë penalisht mjekët zviceranë? Më vjen keq për mjekët në Kosovë,të cilët ditë për ditë shantazhohen nga prokurorët... Dhimbjet do t’u shtoheshin familjarëve edhe sa herë ndonjëri zyrtar publik do të deklaronte se shtytësin për vetëvrasjen e Astritit duhej gjetur në mesin e VV-së apo edhe komentet cinike dhe të pashije të ish-kryeparlamentarit për vetëvrasjen kolektive të VV-së si zgjidhje politike. 

Në fund, do t’i kishte mbytur ngadalë ankthi i pritjes që së pari të miratohej kërkesa për ekspertizë, e që më në fund kjo ekspertizë të realizohej. Rrëfim më vete ishte çështja e përkthimit të dokumentit 50-faqesh. Sikur asnjëherë më parë nuk e kishim parë Avni Deharin tek e ngrinte zërin, me gjithë tragjedinë që e kishte përjetuar, se në ditën kur prokuroria nuk ua dorëzoi raportin. Iu thanë që duhej pritur edhe ndonjë ditë. 

Të enjten e morën dokumentin që ua vërtetonte atë që e kanë thënë prej fillimit: se djalin ua kishin vrarë në burg. Atyre nuk iu desh ta lexonin versionin e cunguar shqip, me plot gabime, dhe me ankesën e përkthyesit se faqja e përfundimeve i ishte dorëzuar vetëm dhjetë minuta para se të bëhej publik dokumenti, dhe kjo nëpërmjet Viberit. Sado skandaloze që të duket i gjithë menaxhimi i kësaj situate, ku të gjithë mohonin se e kishin marrë raportin, e që ky doli në formë të zarfit vetëm pasi avokati u ankua publikisht, si dhe me gjithë përkthimin e kontestuar - fakti është se mjekët zviceranë janë gjallë dhe të qasshëm ashtu që të mund të japin çfarëdo sqarimi po qe nevoja. 

Përgjegjësia e shtetit

 

Astrit Dehari u vra në qelinë e tij në burg. Katër muaj më vonë vdiq i burgosuri me të cilin e kishte ndarë qelinë, një njeri i akuzuar për vrasje. Naser Makolli kishte qenë dëshmitari që e kishte gjetur Deharin në qeli, të shtrirë në shpinë, në gjendje agonie. 

Për Makollin u tha se vdiq nga infarkti, ashtu së paku e ka konstatuar autopsia. Porse familja e tij që nga fillimi ka dyshuar se e kishin vrarë. Dhe me gjasë tash janë në pritje të hapave që lidhen për rastin Dehari, për të kërkuar zbardhjen e vdekjes së tij. Përgjegjës për jetën e Deharit në burg ishte Shërbimi Korrektues i Kosovës, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë. Përgjegjës për deklaratat e rreme të një drejtori policie, pos atij vetë, ka qenë edhe Ministria e Brendshme. 

Por,mbi të gjitha, përgjegjës për jetën e tij ishte shteti. Shteti e akuzoi, shteti e arrestoi dhe shteti ia shkaktoi vdekjen, ngase nuk i ofroi as siguri, as mbrojtje të domosdoshme. Tash, po ky shtet duhet t’i fusë në funksion krejt mekanizmat e vet për ta zbuluar të vërtetën dhe dorasin apo dorasit t’i çojë në burg. Sikurse edhe për ta zbuluar motivin e vrasjes së një të riu 26 vjeç, që ishte në përfundim të studimeve, i cili e priste lindjen e fëmijës, dhe që nuk tregonte shenja depresioni. 

Cili ka qenë qëllimi i vrasjes së tij? Për më keq, pse i është shkaktuar vdekja në formë kaq mizore dhe përfundimisht kaq mirë të organizuar, duke pasur kujdes që të fshiheshin dëshmitë? Po çfarë rreziku do të ketë mundur të paraqiste një aktivist, i cili nuk pajtohej me pushtetin, i cili atëherë e ka kontrolluar shtetin. Shtetin që ka vrarë. Shtetin që duhet dhënë përgjegjësi për krimin.

* * *

Tre vjet më parë e pata titulluar zgafellën “Drejtësi për Astritin” dhe, ndër të tjera, kisha shkruar: “...Prishtina kurrë nuk kishte qenë më e qetë. Marshimi kurrë nuk kishte qenë më dinjitoz. 

Ishte shprehje revolte me qetësi varri për fatin e zi që e kishte përjetuar një student brilant 26-vjeçar, që ishte akuzuar për një vepër penale të rëndë. Akuzë e cila megjithatë është mbështetur mbi këmbët e qelqit. Ishte shprehje e tmerrit ndaj faktit se në Kosovën e pasluftës është shfaqur madje urrejtja ndër shqiptarë, për shkak të pikëvështrimeve politike. Ishte shprehje e frikës se edhe Kosova do të mund të shndërrohej në një Kili evropian, ku kundërshtarët politikë do të mund të eliminoheshin me lehtësinë më të madhe, për shkak se ky shtet e ka vlerë mosndëshkimin. 

E ka vlerë mbajtjen në pushtet të njerëzve me tipare diktatoriale. Sepse, për fatin tonë të keq, ky shtet nuk diti të rritej mbarë. Drejtësia për Astritin do të sillte bile pak prehje dhe një grimë shprese se tashmë nuk i kemi kaluar krejt kufijtë e tolerancës”. Tre vjet më pas, shpreh bindjen se drejtësia për Astritin do të jetë fillimi i vendosjes së drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në këtë vend të nëpërkëmbur, ku gjithçka ka qenë e lejuar po qe se e ka pasur vulën e shtetit në duart e atyre që e katandisën atë. 

Do të jetë zgjimi nga amullia në të cilën kemi rënë dhe do të jetë shpresa se ky vend ka ardhmëri.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi