Me hidrocentrale mjedisi mund të mbetet pa rrjedhë uji

20 October 2019 13:03

Nëse vazhdon trendi i deritashëm i futjes së lumenjve nëpër gypa, mjedisi mund të mbesë pa rrjedhë të ujit.

Kjo ndodh në emër të prodhimit të energjisë së ripërtërishme e në dëm të ekosistemit, meqë po lejohet ndërtimi i hidrocentraleve të vogla pa u përfillur legjislacioni për mbrojtje të mjedisit. Operimi i 14 hidrocentraleve të vogla dhe 21 të tjerave që janë në fazën e ndryshme të procesimit, pa analizë të mirëfilltë ujore dhe mjedisore përveç dëmtimit të ekosistemeve dhe biodiversitetit, po e rrezikon edhe rendimentin bujqësor, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas organizatave të shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve të mjedisit, institucionet janë duke shkaktuar “krim mjedisor”, duke lëshuar licenca dhe autorizime për ndërtim dhe operim të këtyre hidrocentraleve. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit, si dhe mekanizmat e tjerë kanë dështuar që të sigurojnë se projektet respektojnë standarde mjedisore dhe obligimet ligjore që kanë.

Kompanitë, në shumicën e rasteve, kanë abuzuar me licencat dhe nuk kanë respektuar kontratat. Kjo ka hasur në kundërshtim të banorëve, të cilët përmes protestave të shumta janë munduar që ta kundërshtojnë ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme