Trumpi heq dorë nga ideja për mbajtjen e G7-s në pronën e tij private

20 October 2019 19:22

Presidenti amerikan Donald Trump, është tërhequr nga plani për të organizuar samitin e G7-s për vitin 2020, në një nga resortet e tij private në Florida.

Në një seri të postimeve në rrjetin social Twitter, Trump fajësoi demokratët dhe mediat për tërheqjen e planit.

Kritikët deklaruan se ishte e dukshme që Trumpi po përdorte rolin e tij të presidentit për përfitime personale, të cilat i mohoi Shtëpia e Bardhë, teksa Trumpi, qëndrimet e kritikëve i quajti të çmendura dhe të paarsyeshme, transmeton KTV.

Trump planifikonte që samitin ta mbante në resorin turistik “Trump National Doral Miami”, por plani i tij u kundërshtua edhe nga aleatët republikanë në Kongres.

E në një postim të zakonshëm, Trump i bëri reklamë resortit të tij, duke thënë se ka hapësira të mëdha për takime të tilla si ai i G7-s.

“Mendova se po bëja diçka të mirë për shtetin duke përdorur resortin tim. Por, si zakonisht, u çmendën mediat armiqësore dhe partnerët e tyre demokratë”, ka shkruar Trump në Twitter.

Shtëpia e Bardhë, ndërkaq, në njoftim tha se vendimi për ta mbajtur samitin në një pronë të Trumpit, do të shpëtonte miliona dollarë, teksa shtoi se ky resort është vendi më i mirë i mundshëm për një takim të tillë botëror.

Ani pse kritikët thanë se takimi do të shërbente si reklamë për resortin e Trumpit, shefi në detyrë i stafit në Shtëpinë e Bardhë, tha se mbajtja e samitit në pronën private të presidentit nuk shkel Kushtetutën amerikane që ndalon përfitimet nga qeveritë e huaja pa lejen e Kongresit.

Resorti i Trumpit ka 800 hektarë me pesë fusha të golfit, ka më shumë se 700 dhoma hoteli dhe dhjetëra dhoma takimesh.

Samiti i fundit i G7-s në SHBA është mbajtur në vitin 2012 dhe mikpritës i saj ishte Barack Obama.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme