Rezultatet e rinumërimit s’pritet të ndryshojnë shumë nga ata që ka publikuar KQZ-ja

21 October 2019 19:12

Afër 60 për qind e votave në 311 vendvotimeve janë rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas zyrtarëve të kësaj qendre, rinumërimi i votave të pjesës tjetër të mbetur pritet të marrë fund gjatë dy ditëve të ardhshme, raporton KTV.

Derisa arsyeja kryesore e vonesës në numërim është pjesëmarrja e madhe e votuesve gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit, por edhe numri i madh i vendvotimeve që KQZ-ja ka vendosur t’i dërgojë për rinumërim.

Ani pse procesi i rinumërimit të vendvotimeve ka marrë kohë dhe kanë kaluar më shumë se 2 javë që kur kanë përfunduar zgjedhjet, Ahmetaj thotë se procedurat tani që po kryhen në QNR, janë brenda afatit kohor.

Ahmetaj tutje shtoi se rezultatet e dala nga rinumërimi i votave nuk pritet të ndryshojnë shumë nga rezultatet e publikuara të KQZ-së sa i përket subjekteve politike.

Mirëpo, ndryshime mund të ketë te votat për kandidatët që garuan për deputetë në këto zgjedhje.

Pas rinumërimit të votave në këto vendvotime, në QNR do të numërohen edhe votat me kusht, si dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme