Gjykata pranon ankesën e VV-së për votat e diasporës, refuzon atë të Germin-it për çështjen e njëjtë

05 November 2019 19:10

Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosjes të bërë një ditë më parë lidhur me numërimin e 1,806 pakove me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Në këtë mënyrë KQZ-ja obligohet që të procesojë edhe numërimin e më shumë se 1,800 pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës më 17 tetor, më shumë se 10 ditë pas datës së zgjedhjeve, raporton KTV.

Në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se ‘arritja me vonesë e këtyre fletëvotimeve, nuk tregon rregullsinë dhe ligjshmërinë e tyre, meqë në njërën anë, këta votues kanë votuar në kohën e duhur dhe pa fajin e tyre, fletëvotimet e tyre nuk kanë arritur në KQZ para ditës së zgjedhjeve”.

Më tutje, në vendim thuhet se ‘procesi i numërimit të fletëvotimeve ka qenë në vazhdim e sipër dhe kjo nuk kishte për të ndikuar në rregullsinë e procesit të numërimit të fletëvotimeve”.

Gjykata Supreme, gjithashtu, vlerëson se mosnumërimi i këtyre fletëvotimeve me bazë ligjore dhe kushtetuese, e bën të kontestueshëm gjithë procesin e numërimit të fletëvotimeve në këto zgjedhje.

Po këtë të martë, Gjykata Supreme nuk ka miratuar ankesën e organizatës ‘Germin’, e cila ishte pothuajse e njëjtë me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Supremja ka vendosur ta refuzojë këtë ankesë me arsyetimin se ‘nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës’.

Kjo gjykatë nuk i ka pranuar pretendimet e kësaj organizate, meqë janë pa ndikim në konstatimin e gjendjes nga ajo që ka vërtetuar PZAP-ja.

Ndërsa, KQZ-ja qysh mbrëmjen e së martës do të nisë së zbatuari vendimin e Supremes.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të martën, duke filluar nga ora 21, QNR-ja do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të aprovuara.

Një javë më parë ishte Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që e cilësoi si të pabazuar kërkesën e Vetëvendosjes për numërim e këtyre pakove me fletëvotime.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme