Kosova blindohet kundër idesë së Mini-Schengenit, Rama thotë “s’ka nevojë për vetëpërjashtim”

10 November 2019 19:05

Për herë të dytë brenda një muaji, liderët e Ballkanit Perëndimor, pa Kosovën, të dielën janë takuar në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Takimi u zhvillua në kuadër të nismës për krijim e një “Mini-schengeni ballkanik”, i cili për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, nuk do të thotë ndarje e Ballkanit.

Rama ka thënë se Kosova nuk ka arsye të vetëpërjashtohet nga kjo iniciativë, teksa ka shtuar se drejtimi i të dy vendeve është Perëndimi.

“Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, ta heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi. Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal, ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, në këtë takim, përveç Ramës, kryeministrit të Maqedonisë Veriore dhe presidentit serb, morën pjesë edhe përfaqësues të Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

“Mini-schengeni ballkanik” parasheh lëvizjen e lirë të qytetarëve të këtij rajoni vetëm me kartë identiteti.

“Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, hapën një nismë ku ftojnë 6 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bëjnë më shumë nga ajo që jemi duke bërë përmes procesit të Berlinit dhe agjendës evropiane ekonomike. Të gjithë duhet pajtuar se Ballkani po ndryshon në një vend më të mirë dhe faktor më të rëndësishëm në Evropë”, ka thënë Zaev.

“Çka keni kundër çdo ideje që jepet, që të udhëtohet më shpejt me letërnjoftime, që domatja të vijë më shpejt nga Shqipëria në Serbia, që të ketë më shumë turistë në Shqipëri. Gjithë kjo u shndërrua në . . . dhe dështuan bisedat, se veç kur na mbyllen dyert gjejmë diçka të keqe. Të rinjtë po ikin, jo se nuk kanë bukë për të ngrënë, por për shkak të atmosferës që mbretëron në Ballkan”, ka thënë Vuçiq.

Mbledhja e radhës e kësaj iniciative do të mbahet më 21 dhjetor, në Durrës të Shqipërisë.

Ndërkohë, pjesëmarrjen në mbledhjen e së dielës e refuzoi presidenti Hashim Thaçi, duke thënë se kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë, për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme