Vendimi i Supremes përfundimisht e kthen Nismën e AKR-në në Kuvend

14 November 2019 19:04

Votat e ardhura nga Serbia, përfundimisht, do të mbesin jashtë rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kjo pas vendimit të Gjykatës Supreme, këtë të enjte, për të hedhur poshtë ankesën e tre kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në arsyetimin e Supremes, të siguruar nga Kohavisioni, thuhet se kandidatëve të Vetëvendosjes “nuk u është cenuar e drejta për të zgjedhur, pasi të njëjtëve u është dhënë mundësia për të votuar dhe për të zgjedhur dhe për të kandiduar për deputetë, mirëpo në rastin konkret, rezulton se fletëvotimet nga Republika e Serbisë nuk kanë arritur në KQZ në mënyrë të rregullt dhe në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat e KQZ-së”.

Ankesë në Supreme për votat nga Serbia ka bërë edhe Nenad Rashiq, nga Partia Progresive Demokratike.

E njëjta është refuzuar, me arsyetimin se nuk ka interes juridik për paraqitjen e saj.

“Paraqitësi i ankesës, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nuk ka interes ligjor për paraqitjen e saj, ngase me vendimin e ankimuar nuk janë shkelur të drejtat e tij themelore e as ndonjë e drejtë tjetër për sa i përket procesit zgjedhor..”, thuhet ndër të tjerash, në arsyetimin e Supremes.

Në anën tjetër, përmes një përgjigjeje me shkrim, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se ka refuzuar shtatë kërkesa, aq sa ka pranuar, ndër të cilat edhe ajo e kandidatit tjetër për deputet nga Vetëvendosje, Gani Krasniqi.

Ankesa e Krasniqit është hedhur poshtë nën arsyetimin se është e pabazuar.

Si e pabazuar është refuzuar edhe ankesa e kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Faton Bislimi, për rinumërim të votave me postë dhe atyre me kusht.

Kurse ankesa e kandidates për deputet nga partia turke, Muferra Sunik, për parregullsi në ditën e zgjedhjeve, është cilësuar si e pas-afatshme.

Konfirmimi i Supremes për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, u siguron përfundimisht ulëse në Kuvend kandidatëve për deputetë nga koalicioni Nisma-AKR-PD.

Në anën tjetër, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u zbatuar vendimi i PZAP-së për rinumërimin e mbi 1 mijë e 400 vendvotimeve. Deri pasditen e së enjten, në QNR janë rinumëruar mbi 100 vendvotime.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme