Punësimet partiake përplasin të rinjtë e PDK-së e VV-së
Donjet Bislimi i PDK-së e Gazmend Gjyshinca i Vetëvendosjes janë përplasur në Interaktiv të KTV-së për punësimet partiake.
Në debatin për të rinjtë, Bislimi ka thënë se VV-ja ka bërë 200-300 punësime në qeverisjen në Prishtinë, duke thënë se kjo parti ka bërë punësime partiake më shumë se të tjerat parti.
E në anën tjetër, Gjyshinca tha se vëllai i Bislimit ishte i punësuar në Ministrinë e Integrimit.
“Ju VV-ja keni punësuar 200 – 300 vetë me kontratë mbi vepër në Prishtinë. Shikoni edhe në Prizren”, ka thënë Bislimi, teksa Gjyshinca ka përmendur rastin “Pronto”.
“Kush na flet për punësime kur ju e keni punësuar vëllanë në ministrinë e Integrimeve”, ka thënë ai duke publikuar një dokument.
Bislimi ka pranuar deklarimet e Gjyshincës duke thënë se vëllai i tij “Ka qenë për gjashtë muaj me kontratë mbi vepër në ministri të Integrimeve e më nuk është”.
Të dy janë përplasur edhe se kush do të fitojë në Mitrovicë. Teksa Gjyshinca thoshte se VV-ja është e para në këtë komunë dhe PDK-ja më s’e ka bastion Mitrovicën, Bislimi thoshte se kalimi i kryetarit të komunës Agim Bahtiri në VV është bërë me qëllim për ta shkatërruar këtë parti.
“Mitrovica s’duhet të jetë qytet i burimit të populizmave populistë për të fituar një votë. Aq shpesh i ka ndërruar flamujt e partive, nuk e di as ai vet. As në garë s’jeni në Mitrovicë. Ai ma ka bë një premtim mua, që do ta shkatërrojë VV-në, dhe është duke e bërë tash”, ka deklaruar ai.
Bislimi po ashtu ka thënë se PDK-ja do të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Ai ka thënë se sikur VV të ishte e para, siç deklaroi Gjyshinca, kjo parti “s’do të tentonte krijimin e koalicionit me LDK-në, me një njeri të cilin e kanë sulmuar”.
Gjyshinca: VV-ja është gati gjashtë shekuj më e re se LDK-ja

Gazmend Gjyshinca i Vetëvendosjes ka thënë se kjo parti ka listën me kandidatë për deputetë me moshën mesatare më të re.
Sipas tij, mosha mesatare e kandidatëve të VV-së për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit, është 25-vjeç.
Kjo ka thënë se tregon si e sheh “VV-ja rininë tonë”.
Në krahasimin me partitë tjera, ai ka thënë se sikur të krahasohen moshat në total, VV-ja del të jetë gati gjashtë shekuj më e re se LDK-ja.
“Është përzgjedhur lista në mënyrë shumë të detajuar e profesionale. Është listë që reflekton në tërësi me përbërjen e shoqërisë sonë, diversitetin e shoqërisë sonë reflektohet më së miri me listën e VV-së. Mosha mesatare e listës sonë është 25 vjeç. Kjo tregon se si e sheh VV-ja rininë tonë. Partive tjera u shkon deri në 40 vjet mosha mesatare. 580 vjet më e re se LDK-ja. Gati gjashtë shekuj më e re se kjo parti. Jemi edhe më të rinj se PDK-ja, por edhe më të dijshme.
Ka të rinj edhe PDK-ja, por dallojmë se si i shohim të rinjtë. Ajo që ka treguar PDK-ja tash e 20 vjet prej formimit është se të riun e të renë e sheh si militant e argat”, ka thënë ai në Interaktiv.
Bislimi i PDK-së: Do të jem zëri i gjeneratës sime

Donjet Bislimi, kryetar i rinisë së PDK-së, në Interaktiv të KTV-së tha se i është bashkuar politikës sepse beson se do të jap kontribut në shumë fusha, e sidomos rinisë.
Ai tash është edhe kandidat për deputet.
“Praktimin e politikës do ta bëj si më së miri. Do ta jap kontributin tim për gjeneratën time. Do të jem zëri i rinisë”, tha ai.
Bislimi ka treguar edhe pse sipas tij, lista e kandidatëve të PDK-së, është më e mira.
“Pikë së pari ne nuk kemi të shkarkuar brenda partisë e më pas t'i kthejmë prapë, lista jonë prej 110 kandidatëve ngërthen shumë profesionistë. Prej 110, 68 kandidatë për deputetë janë për herë të parë, e shumë prej tyre nën moshën 40-vjeçare. PDK-ja na ka dhënë shumë hapësirë të rinjve”, tha ai, duke shtuar se 70% e të gjitha strukturave është me të rinj.
Bislimi, tutje ka shtuar se “PDK-ja, prej vitit 2014 s’ka qenë në pushtet, e tash e tutje kur t’i fitojë zgjedhjet, do ta luftojë korrupsionin”.
Bislimi, i cili në debat është me Gazmend Gjyqincën nga Vetëvendosja, në Interaktiv ka thënë se “Vetëvendosja bën diktaturë brenda strukturave”.
“Unë kam shumë shokë e shoqe asamblistë në Mitrovicë dhe nuk guxojnë me bë foto me mua”, tha ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.