“Germin” ankohet tek Avokati i Popullit për pakot e votimit nga diaspora që nuk u pranuan për verifikim Foto: Driton Paçarada / Koha

“Germin” ankohet tek Avokati i Popullit për pakot e votimit nga diaspora që nuk u pranuan për verifikim

17 October 2019 17:19

Organizata “Germin” ka përcjellë sot një ankesë tek Avokati i Popullit për shkak të mospranimit të 4639 pakove me fletëvotime nga diaspora.

Ditë më parë u vendos që këto pako të mos pranohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor për shkak se ishin pranuar në adresë të KQZ-së përmes postës me vonesë. Megjithatë, sipas “Germin”, këto ishin pako ishin dërguar nga vendet rezidente të votuesve brenda afatit të caktuar kohor, 19 shtator – 05 tetor.

Sipas kësaj organizate, vendimi për të mos i pranuar këto pako përbën cenim të të drejtave zgjedhore për qytetarët jashtë vendit. Ajo ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për trajtimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Në këtë formë, GERMIN pretendon që kufizimi i afatit kohor për pranimin e votave jashtë Kosovës përmes nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, është në kundërshtim me nenin 45, lexuar bashkë me nenin 55 të Kushtetutës, pasi që nuk përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi. Neni 55, par. 2 i Kushtetutës përcakton se: ‘Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi’. Nëse qëllimi i vendosjes së afatit prej 24 orëve para ditës së zgjedhjeve për pranimin e votave jashtë Kosovës është që të mos shkaktohen vonesa në procedimin dhe numërimin e votave, atëherë ky qëllim, ndonëse është legjitim, nuk e justifikon refuzimin për të numëruar 4,639 pakot në fjalë. Kjo për arsye se numërimi i votave të ardhura me postë nuk ka filluar deri më datë 15.10.2019, pra më shumë se 5 ditë pas ardhjes së pakove të fundit nga totali prej 4,639 pakove në adresë të KQZ-së”, thuhet në reagim të organizatës.

Sipas “Germin”, kjo do të thotë se numërimi i këtyre 4,639 pakove, bashkë me votat e tjera të ardhura me postë, nuk do të kishte vonuar nisjen e procesit të numërimit të këtyre të fundit.

“Me fjalë të tjera, vendosja e kufizimit të rreptë prej 24 orësh para ditës së zgjedhjeve, nuk ishte ‘e domosdoshme që të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi’. Rrjedhimisht, në bazë të nenit 55, par. 2 të Kushtetutës, masa apo kufizimi i vendosur nuk është në proporcion me qëllimin. Kufizimi ligjor, në mënyrë që të jetë i lejueshëm duhet të ketë qëllim legjitim dhe duhet të jetë masë proporcionale për të arritur atë qëllim. Prandaj, mospranimi i këtyre votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por të cilat kanë arritur pas afatit të vendosur nga KQZ, përbën cenim të të drejtave zgjedhore të garantuara me nenin 45 të Kushtetutës. Ky veprim shkel po ashtu edhe parimin e barazisë së votës sipas të cilit, e drejta e votës nuk nënkupton vetëm të drejtën për të votuar por edhe të drejtën e efektit të barabartë të votës me votat e qytetarëve të tjerë të Republikës”, thuhet në ankesën e “Germinit”.

Për këtë çështje, “Germin” para dy ditësh ka nisur një peticion drejtuar KQZ-së. Ai peticion është nënshkruar nga afro 2000 qytetarë.

Të mërkurën ka përfunduar numërimi i votave të ardhura me postë nga jashtë Kosovës. Ishin 13 mijë e 241 vota të vlefshme, nga ku VV-ja doli fituese bindëse me 7030 vota, LDK ishte e dyta me 2158, e pasuar nga PDK-ja me 2139 vota, Nisma-AKR-PD 916 dhe koalicioni AAK-PSD me 555 vota.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme