Aktivistët e Vetëvendosjes thonë se Kurti ka thyer rekord, ka marrë 185 mijë vota Foto: Koha

Aktivistët e Vetëvendosjes thonë se Kurti ka thyer rekord, ka marrë 185 mijë vota

19 October 2019 15:27

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të deklarohen masivisht për fitoren e bindur të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti.

Ndonëse ende nuk janë numëruar të gjitha votat, e në rinumërim kanë hyrë 530 vendvotime, aktivistë e kandidatë për deputetë të Vetëvendosjes shkruajnë se Kurti ka marrë 185 mijë vota, raporton Koha.net.

Por një burim brenda Vetëvendosjes, i ka thënë portalit Koha.net se pa votat e diasporës dhe pa ato me kusht, për Kurtin numërohen 167 mijë vota.

Deri tash janë rinumëruar 129 vendvotime, derisa nga KQZ-ja thotë se rinumërimi pritet të përfundojë javën e ardhshme.

Por, Komisioni Qendror Zgjedhor ende s’ka dhënë shifra fikse të kandidatëve për kryeministër prej votave që kanë marrë, ato që qarkullojnë janë 185.000 për Albin Kurtin e 162.000 për kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani. Madje, shkruajnë se Kurti ka thyer rekord, si politikani më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 6 tetorit.

KQZ-ja në anën tjetër ka njoftuar se pasi të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Në anën tjetër, kujtojmë se ditë më parë, Lutfi Haziri i LDK-së ka shkruar se cila parti të dalë me veç një votë më shumë, do të jetë në krye të Qeverisë së ardhshme.

“Fitues të vegjël janë LDK dhe LVV. Ne po e presim rezultatin final të zgjedhjeve sepse votat nuk janë numëruar deri në fund. Cilado parti që del fituese, duhet të sillen përgjegjshëm dhe kokëulur karshi këtij rezultati sepse njerëzit kanë votuar për ndryshim. Nuk kanë votuar as për individin e as për partinë politike. LDK ka vendosur standardin, cilido që e ka një votë më shumë, ai e udhëheq qeverinë!”, kishte shkruar Haziri.

E këtë deklaratë të tij ia mohuan eksponentë brenda vet partisë.

Në takimin e djeshëm mes grupeve punuese të Vetëvendosjes e LDK-së, që zgjati pak mbi 1 orë e gjysmë, u tha se mes tyre s’ka kushte. Në takim morën pjesë Avdullah Hoti e Lumir Abdixhiku prej LDK-së dhe Glauk Konjufca, Besnik Bislimi, e Albulena Haxhiu prej Vetëvendosjes.

Glauk Konjufca, kandidat për deputet nga LVV-ja u deklarua shkurt për media pas takimit që u mbajt në selinë e LDK-së dhe tha se mes tyre janë diskutuar tema të rëndësishme për vendin.

“Ne nuk kemi kushte për LDK-në, as ata për ne. Ka qenë takim shumë i mirë ku janë fol temat më të rëndësishme, qe e presin qeverinë e ardhshme në ditët e para të fillimit të punës edhe reformat sektoriale”, u shpreh ai, duke shtuar se s’kanë diskutuar as për ndarjen e ministrive.

Po këtë ditë, me një deklaratë të përbashkët LVV-LDK thanë se palët u dakorduan për intensifikimin e takimeve dhe që takimi i radhës të mbahet të mërkurën nga ora 15:00.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme