Kurti e Osmani thyejnë rekord me vota Foto: Koha

Kurti e Osmani thyejnë rekord me vota

19 October 2019 16:02

Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmani e LDK-së kanë thyer rekordin e deritashëm për numrin e votave brenda subjektit të tyre duke qenë bartës të listës.

Ndonëse Komisioni Qendror Zgjedhor ende s’ka shpallur zyrtarisht numrin e votave të kandidatëve, një burim në Lëvizjen Vetëvendosje i ka thënë portalit Koha.net se Kurti, pa votat e diasporës dhe pa ato me kusht ka marrë 167 mijë vota.

Ndërkaq, në rrjetet sociale aktivistë të Vetëvendosjes kanë njoftuar se Kurti në përgjithësi i ka marrë 185 mijë vota e Vjosa Osmani 162 mijë. Në bazë të këtyre votave, të dy arrijnë 82.2 për qind.

Lexo edhe: Aktivistët e Vetëvendosjes thonë se Kurti ka thyer rekord, ka marrë 185 mijë vota

Njohësi i çështjeve zgjedhore Albert Krasniqi, ka publikuar një grafikon ku janë paraqitur votat e kandidatëve për kryeministër prej vitit 2010, pa këto të fundit.

Sipas tij, një prej arsyeve kryesore që ndikon në përcaktimin e votuesit është lideri i partisë politike.

Madje, shkruan Krasniqi, për shumë prej votuesve, lideri është më i rëndësishëm sesa programi i partisë apo lista e kandidatëve.

“Liderët/bartësit e listave kanë marrë më së paku 52.90% të votave të subjekteve politike që i kanë përfaqësuar, dhe më së shumti 75.46%. Në këtë grafikon janë paraqitur votat e liderëve/bartësve të listave nga zgjedhjet e vitit 2010 e këndej (duke përjashtuar zgjedhjet e fundit pasi ende nuk dihen votat e kandidatëve)”, ka shkruar Krasniqi.

Për zgjedhjet e 6 tetorit të 2019-ës, ende s’ka rezultate përfundimtare. Por në bazë të asaj që po raportohet deri tash, Albin Kurti nga Vetëvendosja dhe Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e thyejnë rekordin e votave prej vitit 2010.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme