Mbi 40 mijë vota të pavlefshme, kritikohen institucionet për mungesë të fushatave informuese

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 20 October 2019 19:04

Mungesa e fushatave nga institucionet përgjegjëse për të treguar se si të votohet, po konsiderohet arsye për numrin e madh të votave të pavlefshme.

40 mijë e 732 vota janë shpallur të pavlefshme nga zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, raporton KTV.

E ndër komunat që prijnë për nga numri i fletëvotimeve të pavlefshme, sipas KDI-së, janë: Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se ky numër i votave të pavlefshme mund të rritet, pasi që ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Valmir Elezi nga KQZ-ja, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk janë certifikuar dhe se më vonë pritet një raport më i detajuar rreth pavlefshmërisë së votave.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, numri i fletëvotimeve të tilla kishte qenë 30 mijë e 725, kurse në zgjedhjet e kaluara gjithsej ishin 42 mijë e 554 fletëvotime të pavlefshme.

Ndërkaq, në QNR, është duke vazhduar ende rinumërimi i 530 vendvotimeve. Deri tani janë rinumëruar rreth 42%, proces ky që pritet të përfundojë brenda 3 apo 4 ditësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme